Kujdesi i myslimanëve për shëndetin publik mbështetet në miratimin që Profeti (a.s) i bëri fjalës së Selmanit: “Vetja jote ka të drejta ndaj teje!”[1], si dhe në faktin se ai (a.s) ia tërhoqi vëmendjen përmes përsëritjes së shpeshtë të kësaj lutjeje gjithëpërfshirëse: “O Allah, më jep shëndet në trupin tim! O Allah, më jep shëndet në dëgjimin tim! O Allah, më jep shëndet në shikimin tim! Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje!”[2] Kjo lidhet edhe me nevojën e njeriut për shëndet të mirë, në mënyrë që të përmbushë rolin që i është ngarkuar në adhurimin e Allahut të Lartësuar dhe në ndërtimin e botës.
Ky kujdes ishte njëherazi individual dhe një çështje që angazhonte tërë umetin, dijetarët dhe autoritetet e tij drejtuese. Kështu, u shfaqën arritje të jashtëzakonshme shkencore në fushën e mjekësisë, u dëshmuan gjurmët e mëshirës dhe historiani i përjetësoi ato me penën e tij, duke i shkruar me bojë drite.
Kthehemi në të kaluarën tonë të lavdishme për të nxjerrë prej saj frymëzim, mësime dhe përvojë. Paraqesim një shembull të virtytit që merr trajtë konkrete në vepra të cilat u sjellin njerëzve lehtësim dhe ua pakësojnë vuajtjet, si dhe në një burim të vazhdueshëm shpërblimi për atë që e ndërmerr këtë vepër, duke i sjellë sevape edhe kur ndodhet në varrin e tij.
Duket se Nurudin Zenku (r.h) i shqyrtoi format e ndryshme të bamirësisë dhe vërejti se ndër më të rëndësishmet ishte ndërtimi i një spitali që t’i ofronte njerëzve shërbime mjekësore falas. Për këtë spital caktoi shumë vakëfe, të cilat siguronin të ardhurat e nevojshme për vazhdimësinë e veprimtarisë së tij. Në këtë institucion ai ndërthuri ofrimin e trajtimit për të sëmurët me edukimin dhe formimin e mjekëve. Kjo është një formë bamirësie me shpërblim të përhershëm, sepse çdo pacient që trajtohet nga një mjek i tillë, bëhet pjesë e peshorës së veprave të mira të atij që e ndërtoi këtë institucion dhe e bëri atë një mjet për përgatitjen e mjekëve.
Kur shpengimi i një robëruari shndërrohet në shkak për shërimin e të sëmurëve
Në një nga luftërat e tij, Nurudin Zenku zuri rob një personalitet të rëndësishëm frank, i cili u shkaktonte dëme myslimanëve. I robëruari ofroi një shumë të madhe parash si shpërblim për lirimin e tij. Nurudin Zenku u këshillua me emiratët e tij, të cilët e kundërshtuan pranimin e shpërblimit. Mirëpo, Nurudini iu drejtua Allahut për udhëzim përmes namazit të istihares dhe më pas e pranoi shpërblimin. Sapo i robëruari mbërriti në vendin ku ishte i sigurt, vdiq. Kështu, Allahu ia kurseu besimtarëve të keqen e tij dhe u solli dobi nëpërmjet shumës së madhe të parave të shpërblimit. Kjo dobi vazhdoi të shtrihej brez pas brezi, pasi me ato para Nurudini ndërtoi një nga spitalet më të mëdha.
Kështu nisi historia e një vepre mjekësore dhe humanitare, ndër më të mrekullueshmet që ka njohur njerëzimi. Spitali i Nurudinit nuk ishte thjesht një godinë ku ofroheshin barna, por një institucion mjekësor i nivelit më të lartë. Ai kishte burime të pavarura financiare, personel mjekësor, si dhe personel ndihmës, të përbërë nga farmacistë, infermierë dhe shërbyes, të cilët u siguronin pacientëve gjithçka që u nevojitej.
“Ai është një bimaristan[3] i bekuar, ku trajtimi është i shkëlqyer dhe i efektshëm. Është i gjerë, me dysheme të shtruar me mermer. Në të ndodhen dy pishina, ku rrjedh ujë i ëmbël”
Vizitorët e spitalit të Nurudinit dhe përvoja humane
Ky spital u ndërtua për të varfrit që nuk kishin mundësi të paguanin për barnat. Por, kur barnat mungonin në treg, ato u jepeshin njësoj si të pasurit, ashtu edhe të varfërve. Askush që kërkonte barna nuk kthehej duarbosh. Rrethi i përfituesve të këtij vakëfi u zgjerua duke përfshirë edhe personat me sëmundje mendore, gjendja e të cilëve kishte arritur në stade të avancuara. Ata sistemoheshin në këtë spital dhe u ofrohej trajtimi i nevojshëm.
Mënyra e funksionimit brenda bimaristanit historik
Ibn Xhubejri përshkruan mënyrën e funksionimit të këtij institucioni të madh mjekësor, i cili kishte punonjës të ndryshëm, secili me detyrën e tij të posaçme. Ndër ta kishte edhe persona të ngarkuar me përgatitjen e dosjes së pacientit, ku shënoheshin emri i tij, ushqimi dhe barnat që i nevojiteshin, si dhe shpenzimet përkatëse.
Ai përshkruan gjithashtu vizitat që mjekët u bënin pacientëve një nga një, duke ndjekur gjendjen e tyre dhe duke përcaktuar trajtimin dhe ushqimin e nevojshëm për secilin. Ata interesoheshin për gjendjen e pacientëve dhe më pas urdhëronin dhënien e barnave dhe ushqimit të përshtatshëm për secilin prej tyre. Personeli infermieror nxitonte të zbatonte udhëzimet e mjekut, sipas nevojave të pacientit.
Kur spitali shndërrohet në fakultet të mjekësisë dhe qendër të zhvillimit shkencor
Krahas ofrimit të shërbimeve mjekësore, zhvillohej edhe procesi mësimor për studentët e mjekësisë, në një oborr të madh ku ndodhej një bibliotekë mjekësore, të cilën Nurudini ia kishte lënë vakëf spitalit. Në këtë hapësirë zhvilloheshin diskutime shkencore dhe lexoheshin libra. Studenti ndërthurte njohuritë teorike me praktikën, ndërsa i jepej mundësia të merrte pjesë në dialog konstruktiv, i cili zgjeronte horizontet e dijes si për të, ashtu edhe për profesorin e tij, lidhur me ekzaminimin, diagnostikimin dhe përcaktimin e barnave.
Në këtë mënyrë, ndërthureshin njohuritë teorike, ekzaminimi klinik dhe diskutimi rreth të gjithë procesit mjekësor.
Mjekët më të njohur që punuan në bimaristanin e Nurudinit
Fama e këtij spitali, i cili shërbente edhe si institucion arsimor, arriti të tërhiqte profesionistë të aftë për ushtrimin e mjekësisë dhe mësimdhënien. Ndër personalitetet më të spikatura që punuan aty ishin:
Izedin ibn Suvejdi: Ishte dijetari më i shquar i kohës së tij dhe i pakrahasueshëm në epokën e vet. Ai iu përkushtua artit të mjekësisë derisa e zotëroi atë në një shkallë të përsosur, të cilën askush tjetër nga specialistët e kësaj fushe nuk e kishte arritur. Ai përvetësoi parimet e përgjithshme të saj dhe zotëroi dispozitat konkrete. U shoqërua me mjekët më të shquar dhe qëndroi pranë dijetarëve më të mëdhenj, prej të cilëve përfitoi njohuritë e vlefshme mjekësore dhe sekretet e urtësisë.
Muvefekudin ibn el-Matran: Mjek, i cili zotëronte një bibliotekë të pasur me vepra mjekësore, aq sa thuhej se ajo përmbante rreth dhjetë mijë libra të kësaj fushe.
Muvefekudin Abdulaziz es-Sulemi: Përfaqësonte figurën e mjekut human, që karakterizohej nga dhembshuria e madhe ndaj pacientëve. Ai kujdesej për nevojat e tyre për barna dhe ushqim, veçanërisht për të varfrit. Gjithashtu, kishte studentë që merrnin dije prej tij.
Kemaludin el-Himsi: Mjekonte pacientët pa marrë asnjë shpërblim.
Abdulvahid el-Magribi: U emërua përgjegjës për shërbimin mjekësor në bimaristanin e madh të Nurudinit në Damask. Ndër veprat që la pas janë: “Tuhfetul-Muhib fi’t-Tibb” (Dhurata e të dashurit në mjekësi) dhe “Akdul-Xhuman fima Jelzemu men Vellije el-Bimaristan” (Gjerdani i perlave mbi detyrimet e atij që merr drejtimin e bimaristanit). Vetë titulli i veprës së dytë tregon se ajo trajtonte administrimin e institucioneve mjekësore.
Shejhu, imami dhe dijetari Muhedhibudin Ebu Muhamed Abdurrahim ibn Ali ibn Hamid, i njohur me emrin ed-Dahvar: Fillimisht, Muhedhibudini shërbeu si okulist në bimaristanin e madh të Nurudinit. Më pas, iu përkushtua artit të mjekësisë dhe u drejtua për në Egjipt, ku shërbeu në oborrin e mbretit el-Adil Ebu Bekr ibn Ejub, i cili e emëroi në krye të mjekësisë në Egjipt dhe Sham.
Më pas u vendos në Damask dhe mori përsipër trajtimin e pacientëve në bimaristanin e madh të Nurudinit. Më tej, filloi të jepte mësim në fushën e mjekësisë, rreth të cilit u mblodhën shumë prej mjekëve më të shquar të kohës. Ai e la shtëpinë e tij vakëf dhe e shndërroi në shkollë të mjekësisë, duke i caktuar asaj edhe prona bujqësore dhe disa pasuri të tjera. Ndërroi jetë natën e së hënës, më 15 të muajit Safer, në vitin 628 hixhri / 1230 e.s.
Burimet e të ardhurave të spitalit dhe qëndrueshmëria e vakëfit islam
Një spital i përmasave të tilla, që ofronte këto shërbime, kishte nevojë për shpenzime të mëdha, në mënyrë që të vazhdonte të siguronte gjithçka që u nevojitej pacientëve, mjekëve dhe personelit ndihmës. Duke e kuptuar këtë nevojë, Nurudini (r.h) caktoi si vakëf për spitalin fshatra, pjesë tokash bujqësore, mullinj, dyqane dhe prona të tjera të llojeve të ndryshme, të shpërndara në vende të ndryshme.
Në këtë mënyrë, burimet e të ardhurave ishin të shumëllojshme, kështu që, nëse të ardhurat nga njëri prej tyre pakësoheshin, burimet e tjera mbulonin shpenzimet e këtij institucioni. Vakëfi siguronte pavarësi në administrim, si dhe mundësinë e vazhdimësisë së veprimtarisë dhe të bamirësisë.
Një përvojë e veçantë shkencore për përzgjedhjen e vendndodhjes së spitalit
Në përputhje me kriteret më të përparuara mjekësore të kohës, Nurudini kërkoi që spitali të ndërtohej në vendin me cilësinë më të mirë të ajrit. Nuk ka dyshim se pastërtia e ajrit ndikon në përshpejtimin e shërimit, ndërsa ajri i ndotur ndikon negativisht në gjendjen shëndetësore dhe psikologjike të pacientit.
Për të zbuluar vendin me ajrin më cilësor, u zhvillua një eksperiment praktik. U ther një dele dhe trupi i saj u nda në katër pjesë. Secila pjesë u vendos në një vend të ndryshëm. Të nesërmen në mëngjes, u vu re se njëra prej pjesëve nuk kishte pësuar ndryshime, ndërsa pjesët e tjera ishin prishur. Nga kjo u nxor përfundimi se vendi ku ishte vendosur pjesa që kishte mbetur e paprishur ishte ai me cilësinë më të mirë të ajrit.
Spitali i Nurudinit ndër shekuj dhe zhvillimi i tij i vazhdueshëm
Nurudini ndërroi jetë në vitin 569 hixhri, por veprimtaria e bimaristanit nuk u ndërpre me vdekjen e tij. Përkundrazi, sipërfaqja e tij u zgjerua, sallat u shtuan, ndërtesa u përmirësua dhe në të u soll ujë i rrjedhshëm.
Edhe spitali i Nurudinit në Halep iu nënshtrua vazhdimisht rinovimeve dhe zgjerimeve. Aty u ndërtua një sallë për gratë, u shtua një sallë verore dhe u vendosën çati mbi disa prej sallave që më parë ishin të pambuluara.
Ndërsa në Damask, disa shekuj pas vdekjes së Nurudinit, në fillim të shekullit të njëmbëdhjetë hixhri, administrimin e vakëfit të bimaristanit e mori përsipër Hasan Pasha ibn Abdullah. Ai konstatoi se institucioni nuk ishte më në gjendje të kryente disa prej funksioneve që kishte përmbushur më parë. Për këtë arsye, punoi për ta rikthyer në gjendjen e dikurshme, duke rishqyrtuar pronat e vakëfit dhe duke u kujdesur për rritjen dhe zhvillimin më të mirë të të ardhurave të tyre.
Roli i mbikëqyrësit të vakëfit në administrimin e institucioneve shëndetësore
Një institucion kaq i madh kishte nevojë për një drejtor mjekësor dhe një drejtor administrativ, i cili në atë kohë quhej “mbikëqyrësi i vakëfit”. Fusha e përgjegjësisë së tij përfshinte ruajtjen e pasurisë së vakëfit dhe mbrojtjen e saj nga cenimet, investimin e saj në mënyrë që të sillte dobi për pacientët, si dhe përdorimin e të ardhurave të vakëfit për qëllimet e përcaktuara.
Disa prej mbikëqyrësve patën një ndikim të madh në shtimin e pasurisë së vakëfit të spitalit. Kjo u mundësoi atyre të shtonin prona të reja dhe t’ia bashkonin ato vakëfit, duke zgjeruar kështu rrethin e përfituesve të shërbimeve të spitalit.
Një rrëfim historik që dëshmon nivelin e lartë të funksionimit të bimaristanit
Izedin Halil ibn Shahin edh-Dhahiri, në librin e tij “Zubdetu Keshfil-Memalik ve Bejanut-Turuk vel-Mesalik”, pas një vizite në Damask, shkruan: “Në këtë qytet ndodhet një bimaristan, të cilit nuk i është parë shoq në botë. Më ndodhi një ngjarje interesante, të cilën dëshiroj ta tregoj:
Në vitin 831 hixhri / 1427 e.s., hyra në Damask, i shoqëruar nga një burrë i huaj, i cili ishte njeri me virtyte, shije të hollë dhe sjellje të këndshme. Atë vit ai kishte ndërmend të kryente haxhin. Kur hyri në bimaristanin në fjalë dhe pa ushqimet, dhuratat e çmuara dhe gjërat e këndshme të panumërta që gjendeshin aty, vendosi të vinte në provë personelin e këtij institucioni. Kështu, shtirej sikur ishte i sëmurë dhe qëndroi aty për tri ditë. Kryemjeku vinte vazhdimisht për të vlerësuar gjendjen e tij të dobësuar.
Pasi ia mati pulsin dhe u njoh me gjendjen e tij, i rekomandoi ushqimet më të mira, pulë të majmur, ëmbëlsira, pije të ndryshme dhe fruta të shumëllojshme. Pas tri ditësh, i shkroi një shënim, ku thuhej, në thelb, se një i sëmurë nuk mund të qëndronte më shumë se tri ditë. Kjo është një dëshmi e zgjuarsisë dhe mjeshtërisë së jashtëzakonshme, si dhe e një sjelljeje tejet të këndshme.”
Thuhet gjithashtu se, që nga koha kur u ndërtua ky bimaristan, zjarri në kuzhinën e tij nuk u shua kurrë.
Bimaristani pas shtatë shekujsh shërbimi bamirësie
Spitali vazhdoi të ofronte shërbimet e tij për shumë shekuj, deri rreth vitit 1317 hixhri / 1899 e.s., sipas asaj që përcjell doktor Ahmed Isa nga Muhamed Kurd Ali. Në fund të kësaj periudhe, numri i mjekëve dhe farmacistëve të tij nuk ishte më i vogël se njëzet.
Më pas, Bashkia e Damaskut ndërtoi një spital për të huajt, një prej burimeve të financimit të të cilit ishin të ardhurat nga vakëfet e bimaristanit të Nurudinit. Ky spital i ri u njoh me emrin “el-Hamidij”. Ndërtesa e vjetër, ndërkaq, u përdor më vonë si shkollë për vajza, kështu që dobia e saj nuk u ndërpre.
Harta e bimaristanëve të Nurudin Zenkut
Nurudin Zenku ndërtoi tri spitale, të cilat u quajtën bimaristanët nurij:
Bimaristani i Madh Nurij në Damask: Më i njohuri ndër ta. Ai ishte një institucion që ndërthurte trajtimin mjekësor, arsimin në fushën e mjekësisë dhe bibliotekën. Në të punuan shumë prej mjekëve më të shquar të kohës.
Bimaristani i Vjetër Nurij në Halep: Nurudin Zinku caktoi për të një numër të madh pronash të paluajtshme dhe tokash si vakëf.
Bimaristani i Nurudin Zenkut në Hama: Muhamed Kurd Aliu përmend se ky ishte i vetmi spital në qytet dhe se kishte shpenzimet dhe vakëfet e veta.
Përmbledhje: Çfarë na ka lënë përvoja e Nurudin Zenkut?
Kjo përvojë e vyer na mëson se si t’i ruajmë veprat tona bamirëse, si mundet që një institucion i vetëm të ofrojë shërbime të shumta dhe si mund ta realizojnë drejtuesit e tij qëndrueshmërinë, zhvillimin dhe zgjerimin e bazës së veprimtarisë. Ajo na mëson gjithashtu që këtë vepër madhështore ta shohim si një rrugë drejt mirësisë në këtë botë dhe në botën tjetër, gjë që i nxit ata që angazhohen në të të bëjnë përpjekjet maksimale për të fituar shpërblimin dhe mirësinë e Allahut.
Autor: Muhamed Atije
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Buhariu.
[2] – Ebu Daudi.
[3] – Kjo fjalë rrjedh nga persishtja dhe nënkupton vendin ku trajtoheshin të sëmurët në mesjetë.








