Ballina Artikuj “Sikur” i hap rrugën veprës së shejtanit

“Sikur” i hap rrugën veprës së shejtanit

Dëshira e njeriut për të arritur përfitimin maksimal dhe për t’iu shmangur gjërave të pakëndshme e shtyn atë të ndërmarrë një sërë veprimesh. Kur i humbet një mundësi për të pasur sukses, ai mund të kafshojë gishtat nga pendimi. Madje, ndonjëherë, me fjalë dhe me vepra, i kapërcen kufijtë që Allahu i Madhëruar ka përcaktuar për njeriun kur e godet diçka e pakëndshme, largohet nga pajtimi me caktimin dhe paracaktimin hyjnor dhe fillon të kërkojë llogari nga vetja ose ta ndëshkojë atë. Madje, ndjenja e keqardhjes mund ta shkatërrojë, duke përsëritur vazhdimisht fjalën: “Sikur”

Suneti profetik vjen për ta mbrojtur njeriun nga shumë rreziqe dhe për ta paralajmëruar ndaj fjalës “Sikur” e cila i hap rrugë veprës së shejtanit. Kështu, i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu sesa besimtari i dobët, ndonëse te secili ka mirësi. Përpiqu për atë që të sjell dobi, kërkoji ndihmë Allahut dhe mos u trego i paaftë. Nëse të ndodh diçka, mos thuaj: “Sikur të kisha vepruar kështu, do të kishte ndodhur kështu e ashtu”, por thuaj: “Ky është caktimi i Allahut dhe Ai bën atë që dëshiron”, sepse fjala “sikur” i hap rrugë veprës së shejtanit”[1]

Kur shndërrohet fjala “Sikur” në një portë drejt gjynaheve të mëdha dhe të këqijave?

Ajo që e bën fjalën “Sikur” një çelës me të cilin shejtani hap dyert e së keqes, është fakti se ajo nuk është thjesht një fjalë, por shprehje e pakujdesisë ndaj Allahut të Madhëruar dhe caktimeve të Tij të pashmangshme. Ajo nënkupton se njeriu e sheh shkakun si diçka që ndikon më vete, pavarësisht nëse Allahu i Madhëruar e dëshiron apo jo – Allahu është i pastër nga çdo e metë e tillë! Gjithashtu, ajo e vendos planifikimin e njeriut mbi caktimin e Allahut të Lartësuar, siç thotë Ai: “O ju që keni besuar! Mos u bëni si ata që nuk besuan dhe që, kur vëllezërit e tyre udhëtonin nëpër tokë ose merrnin pjesë në luftë, thoshin: “Sikur të kishin qëndruar pranë nesh, nuk do të kishin vdekur dhe nuk do të ishin vrarë”. Allahu e bëri këtë që të mbjellë pikëllim në zemrat e tyre. Allahu jep jetë dhe sjell vdekjen. Allahu sheh gjithçka që bëni.”[2]

Po kështu, Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që u thanë vëllezërve të tyre, ndërkohë që vetë qëndruan në shtëpi: “Sikur të na kishin dëgjuar, nuk do të ishin vrarë”. Thuaju: “Atëherë, shmangeni vdekjen nga vetja, nëse jeni të sinqertë!”[3]

Këta njerëz përfytyrojnë se qëndrimi i të dashurve të tyre pranë tyre do t’i kishte mbrojtur nga vdekja, sikur të kishin mundësi t’i shpëtonin ata nga marrja e shpirtrave të tyre! Por këtu shtrohet një pyetje e rëndësishme: A do të mund ta mbronin veten nga vdekja kur t’u vinte afati i caktuar? Sigurisht që jo. As ata dhe as askush tjetër nuk ka fuqi ta bëjë këtë:

“Kur të vijë afati i caktuar nga Allahu, ai nuk mund të shtyhet. Ah, sikur ta dinit!”[4]

Kushdo që shprehet në këtë mënyrë ose tregohet i pavëmendshëm ndaj faktit se Allahu i Madhëruar është Mbajtësi dhe Drejtuesi i gjithësisë dhe se Ai administron çështjet e të gjitha krijesave, do të bjerë në vuajtje të panumërta, do të ndjekë rrugën e gabuar në interpretimin e asaj që i ndodh dhe do të jetë i paaftë të arrijë në objektivat e tij,

Cilësitë e besimtarit të fortë përballë sprovave

Ndër begatitë e besimit është se ai i dhuron njeriut forcën e durimit, forcën e pajtimit me caktimin hyjnor dhe forcën për të punuar me përkushtim. Kur besimtarin e godet një sprovë që kërkon durim dhe qëndrueshmëri, ai i drejton të gjitha energjitë e tij për t’iu larguar një caktimi të Allahut drejt një caktimi tjetër të Tij. Ai përpiqet të dalë nga kriza me të cilën përballet ose të pakësojë pasojat e saj dhe nuk lejon që ajo t’ia shkatërrojë jetën. Nëse kriza është përtej mundësive të tij, ai thërret me zemër, para se ta shqiptojë me gjuhë: “Zoti ynë, mos na ngarko me atë që nuk kemi mundësi ta përballojmë!”[5], dhe mbahet fort pas litarëve të durimit, me shpresën se Allahu do t’ia lehtësojë gjendjen pas kësaj. E gjithë kjo shoqërohet me bindjen e plotë se çlirimi dhe lehtësimi nga Allahu i Madhëruar janë pranë.

Rruga drejt lumturisë qëndron në përcaktimin e qartë të synimit nga ana e njeriut, në kërkimin e shkaqeve që e çojnë drejt tij dhe në shfrytëzimin e të gjitha këtyre shkaqeve. Nëse çështja del përtej mundësive të tij, ai ia lë në dorë Allahut të Madhëruar, Dhuruesit të forcës dhe aftësisë, si dhe Rregulluesit të çështjeve të të gjitha krijesave. Ndoshta Allahu, i Madhëruar dhe i Lartësuar, do t’i dhurojë aq forcë sa të arrijë të mirën dhe ta largojë të keqen nga vetja dhe nga njerëzit e dashur për të. Përndryshe, Allahu i Madhëruar ka urtësinë e Tij në gjithçka që e godet robin, qoftë e mirë apo e keqe, përfitim apo dëm.

Rastet kur lejohet përdorimi i fjalës “sikur”

A është çdo përdorim i fjalës “sikur” një çelës që hap dyert e shejtanëve, përmes të cilave ata depërtojnë në zemër për ta prishur atë dhe në shpirt për ta shkatërruar? Kësaj pyetjeje i përgjigjet imam Buhariu në përmbledhjen e tij autentike të haditheve, kur vendos një kapitull me titull: “Rastet kur lejohet përdorimi i fjalës “sikur”,” Në të, ai përmend disa hadithe në të cilat Profeti (a.s) e ka përdorur këtë fjalë. Le të shqyrtojmë së bashku disa prej rasteve në të cilat fjala “sikur”është përdorur, por që nuk ka lidhje me çeljen e rrugës së shejtanit:

Në fushën e mësimdhënies dhe trajnimit: Kur një personi i ngarkohet detyra për të përcjellë një informacion ose për të zhvilluar një trajnim në një fushë të caktuar, fetare apo të kësaj bote, ai duhet të parashtrojë situata të mundshme me të cilat mund të përballet personi që trajnohet. Madje, duhet të marrë në shqyrtim edhe skenarët më të këqij, duke shtruar pyetjen: “Po sikur…?”

Këto parashikime ndihmojnë në shmangien e shumë problemeve dhe e përgatitin njeriun për t’u përballur me rreziqet. Parashtrimi i tyre është pjesë e marrjes së masave të nevojshme, zgjerimit të horizontit të të nxënit dhe krijimit të mundësisë për të menduar në kushte sigurie, përpara se ta befasojë rreziku dhe t’i ngushtohen alternativat e zgjedhjes. Në këtë mënyrë mbyllen dyert e së keqes.

Hudhejfe ibn Jemani (r.a) na ka mësuar një metodë jetese që i edukon njerëzit të shtrojnë pyetje lidhur me mundësi që ende nuk kanë ndodhur. Ai ka shpjeguar edhe arsyen përse ndiqte këtë metodë: “Njerëzit e pyesnin të Dërguarin e Allahut (a.s) për të mirën, ndërsa unë e pyesja për të keqen, nga frika se mos më zinte ajo.”[6]

Ai pyeste për të keqen në një kohë kur njerëzit jetonin në mirësi dhe ishin të prirur drejt veprave të mira dhe devotshmërisë. Por, çfarë nëse njerëzit do të ndryshonin dhe do të binin në të keqe? Çfarë mund të bënte ai për të shpëtuar prej saj?

Dijetarët e kanë kuptuar këtë hadith si dëshmi për lejimin e parashtrimit të çështjeve hipotetike dhe diskutimit të tyre përpara se të ndodhin, veçanërisht kur ekziston frika se dijetari mund të vdesë.

Madje, edhe “Fikhut Hipotetik” i është dhënë formë pikërisht mbi bazën e fjalës “sikur”. Thelbi i tij qëndron në parashtrimin e pyetjeve rreth situatave që nuk ekzistojnë në realitet, madje disa prej tyre janë konsideruar të pamundura për t’u ndodhur. Ky fikh ka shërbyer si mbështetje për ixhtihadin e dijetarëve në shekujt e mëvonshëm.

Marrja parasysh e shkaqeve, duke mos harruar Krijuesin e Madhëruar: Kur njeriu i merr parasysh shkaqet, duke i përmendur ato sipas rrjedhës së zakonshme të gjërave, por duke qenë plotësisht i bindur se vullneti i Allahut të Madhëruar është mbizotërues dhe se ajo që Allahu ka caktuar do të ndodhë, pavarësisht nëse shkaqet janë të pranishme apo mungojnë, atëherë ai kupton se Allahu i Madhëruar i realizon caktimet e Tij përmes shkaqeve që njohim, por edhe përmes atyre që nuk i njohim.

Në këtë mënyrë mund ta kuptojmë fjalën e Ebu Bekrit (r.a): “Isha me Profetin (a.s) në shpellë. Kur pashë gjurmët e idhujtarëve, i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Sikur ndonjëri prej tyre të ngrinte këmbën, do të na shihte!”[7]

Ebu Bekri (r.a), megjithëse kishte besim të përsosur, ishte plotësisht i bindur se edhe sikur të gjithë ata të shikonin poshtë këmbëve të tyre dhe Allahu i Madhëruar të dëshironte ta mbronte Profetin e Tij dhe Siddikun, ata nuk do t’i shihnin. Kjo sepse shumë njerëz shikojnë përreth, por nuk e vënë re atë që Allahu ka dëshiruar t’ua mbajë të fshehur.

Kur dëshirohet e mira: Kjo ndodh kur një mysliman ndien keqardhje për dobësinë dhe pamundësinë e tij për të larguar një të keqe që shkakton zemërimin e Allahut të Madhëruar dhe bëhet shkak për ndëshkimin e Tij. Kështu shprehu Luti (a.s), duke thënë: “Ah, sikur të kisha fuqi kundër jush ose të gjeja mbështetje te një krah i fortë!”[8]

Kur humbet një e mirë: Nëse një mysliman humbet një mundësi për të bërë mirë, keqardhja për humbjen e saj dëshmon dashurinë e tij të thellë për t’iu afruar Allahut të Madhëruar. Ndoshta kjo keqardhje do ta shtyjë të jetë më i vëmendshëm ndaj asaj që i ka shpëtuar, në rast se i njëjti rast përsëritet. Në fjalën e Profetit (a.s): “Sikur të mos kisha bërë kurban, do ta kisha bërë nijet umren”, gjendet dëshmi për lejimin e përdorimit të fjalës “sikur” për të shprehur keqardhjen për humbjen e çështjeve që lidhen me fenë dhe interesat e Sheriatit.

Dëshira për të pasur një begati, me qëllim që ajo të përdoret në atë që kënaq Allahun e Madhëruar: Profeti (a.s) ka thënë: “Bota është për katër lloje njerëzish: një rob të cilit Allahu i ka dhënë pasuri dhe dije, e ai i frikësohet Zotit të tij në përdorimin e saj, ruan lidhjet farefisnore me të dhe përmbush detyrimet që ka ndaj Allahut përmes saj. Ky është në shkallën më të lartë. Një rob tjetër, të cilit Allahu i ka dhënë dije, por nuk i ka dhënë pasuri. Ai ka qëllim të sinqertë dhe thotë: “Sikur të kisha pasuri, do të veproja ashtu siç vepron filani”. Për shkak të nijetit të tij, shpërblimi i të dyve është i njëjtë…”[9]

Ky rob dëshiron të ketë pasuri, të cilën do ta shpenzonte për të fituar kënaqësinë e Allahut, duke i ardhur në ndihmë atij që ndodhet në vështirësi dhe duke ndihmuar nevojtarët. Për shkak të sinqeritetit të nijetit dhe dashurisë së tij për të mirën, Allahu i Madhëruar i jep shpërblimin e atyre që japin sadaka.

Për të treguar se vepra e mirë është shkak për shpëtim: Fjala “sikur” përdoret edhe për të treguar pozitën e një vepre të mirë dhe faktin se ajo mund të jetë shkak për shpëtimin nga rreziqet. Allahu i Madhëruar thotë: “Sikur ai të mos ishte prej atyre që e madhërojnë Allahun, do të qëndronte në barkun e peshkut deri në Ditën kur do të ringjallen.”[10]

Për të treguar veprimin më të mirë që mund të ishte ndërmarrë: Fjala “sikur” përdoret për të treguar një veprim më të mirë sesa ai që është kryer, i cili mund të sillte më shumë dobi ose të ishte më pranë së saktës. Këtë përdorim të fjalës “sikur” e bëjnë ata që i shqyrtojnë veprimet e tyre në mënyrë vetëllogaritëse, si dhe ata që u japin të tjerëve këshilla me synimin për të arritur përsosmërinë në vepra.

Transmetohet nga Mejmune bint el-Harith se ajo liroi një skllave gjatë kohës së të Dërguarit të Allahut (a.s). Kur ia përmendi këtë të Dërguarit të Allahut (a.s), ai i tha: “Sikur t’ua kishe dhënë atë dajallarëve të tu, shpërblimi yt do të ishte më i madh”[11]

Nëpërmjet fjalës “sikur”, Profeti (a.s) e udhëzon atë drejt një vepre bamirësie më të mirë. Dhënia e saj dajallarëve do të përbënte një vepër mirësie ndaj nënës së saj, ndërsa shpërblimi për ruajtjen e lidhjeve farefisnore është i madh.

Gjatë vetëllogaritjes: Kjo ndodh kur njeriu ulet të reflektojë për veten, duke peshuar veprimet e tij dhe duke shqyrtuar se çfarë mund të kishte bërë, por nuk e ka bërë, qoftë për shkak të padijes, pamundësisë apo harresës.

Kjo vetëllogaritje e ndihmon njeriun të mos i përsërisë gabimet dhe shërben si shembull për ata që ndjekin të njëjtën rrugë. I mençur është ai që nxjerr mësime nga gabimet e veta dhe nga gabimet e të tjerëve.

Si ta shndërrojmë pendimin në veprim pozitiv?

Ky reflektim na çon drejt një pyetjeje: A mund ta kompensojmë menjëherë atë që na ka humbur dhe kështu ta rikuperojmë atë që na ka kaluar? A mund ta përfundojmë atë që kemi nisur, edhe pa personin që mungon apo pa mjetin që nuk e kemi në dispozicion? A përbën mungesa e një gjëje apo e një personi pengesë për realizimin e synimit? A e bën të pamundur arritjen e tij apo thjesht e zgjat kohën e realizimit?

Preokupimi me keqardhjen për të kaluarën na pengon të hedhim qoftë edhe një hap përpara dhe të rikuperojmë atë që na ka humbur. Ai na çon në një rreth vicioz vuajtjesh, prej të cilit nuk mund të dalim. Ndjenja e dështimit dhe e pafuqisë na pengon të ndërmarrim veprime pozitive që do të na nxirrnin nga kjo gjendje, e cila na shkatërron nervat dhe na rrënon aftësitë. Profeti (a.s) i kërkonte mbrojtje Allahut të Madhëruar nga shkaqet kryesore të së keqes, ndër të cilat edhe paaftësia dhe përtacia, për shkak të ndikimit të tyre negativ në fenë dhe jetën e kësaj bote të robit.

Përfundim: Besimi në caktimin hyjnor, mbrojtje nga rreziqet

Besimtari që e kërkon mbarësinë nga Allahu i Madhëruar e shndërron pendimin në veprim, përmes të cilit riparon atë që është dëmtuar, korrigjon atë që ka gabuar dhe kompenson mundësitë që i kanë humbur. Dhuratat e Allahut për krijesat e Tij nuk shterojnë dhe, nëse njeriut i humbet një mundësi për të bërë mirë, dyert e mëshirës dhe bamirësisë nuk mbyllen përpara atij që shpreson në faljen e Tij.

Enes ibn Nadri nuk mori pjesë në betejën e Bedrit dhe u pikëllua për mungesën e tij. Por, në vend që të fajësonte veten dhe të vazhdonte të ndiente keqardhje pa ndërmarrë asgjë, ai tha: “Mungova në betejën e parë ku mori pjesë i Dërguari i Allahut (a.s). Për Allahun, nëse Allahu i Lartësuar më mundëson të marr pjesë në një betejë tjetër, Ai do ta shohë se si do të luftoj!”[12]

Kështu, ai mori pjesë në betejën e Uhudit dhe luftoi me trimëri të jashtëzakonshme. Kur pa disa njerëz që po përpiqeshin të largoheshin nga beteja, ua forcoi vendosmërinë dhe e vuri veten në shërbim të fesë, duke synuar kënaqësinë e Allahut.

Nëse njeriu ndien nevojën të shprehë me ndonjë fjalë lehtësimin e asaj që e ka goditur, le të zgjedhë ndër fjalët më të bukura dhe më shprehëset të besimit të tij. Kthimi te besimi e mbron atë nga rreziqet që hap fjala “sikur”. Ai gjithashtu e përforcon në zemrën e myslimanit besimin në caktimin hyjnor, i cili lidhet me dijen e Allahut të Madhëruar.

Besimtari është plotësisht i bindur në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Mund të mos e pëlqeni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju, dhe mund të dëshironi një gjë, ndërkohë që ajo është e keqe për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.”[13]

Nëse dija jonë është e kufizuar dhe aftësia jonë për të kuptuar është edhe më e kufizuar, atëherë si mund të gjykojmë mbi caktimet e Allahut të Madhëruar duke thënë: “Sikur…”?

Autor: Muhamed Atije

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Muslimi

[2] – Sure Ali Imran: 156.

[3] – Sure Ali Imran: 168.

[4] – Sure Nuh: 4.

[5] – Sure Bekare: 286.

[6] – Buhariu.

[7] – Buhariu.

[8] – Sure Hud: 80.

[9] – Tirmidhiu.

[10] – Sure Saffat: 143 – 144.

[11] – Muslimi.

[12] – Për më tepër shih librat e Sires.

[13] – Sure Bekare: 216.