Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, zhvilloi të premten një bisedë telefonike me homologun e tij saudit, Faisal bin Farhan Al Saud, duke bërë thirrje për uljen e tensioneve ushtarake dhe politike në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.
Lavrov diskutoi në detaje perspektivat për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve shumëplanëshe ruso-saudite, sipas Ministrisë së Jashtme të Rusisë.
Gjatë bisedës telefonike u theksua rëndësia e ruajtjes së dinamikës së lartë të dialogut politik midis Moskës dhe Riadit, si dhe intensifikimi i punës së përbashkët për të zhvilluar bashkëpunimin tregtar, ekonomik, të investimeve dhe kulturor.
Kryediplomatët prekën temën e festimit të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Rusisë dhe Arabisë Saudite më 19 shkurt.
Në këtë kuadër u diskutuan gjithashtu çështjet aktuale në agjendën ndërkombëtare dhe rajonale, me fokus në zgjidhjen palestinezo-izraelite, situatën rreth Iranit dhe situatën në Jemen.


