Sam Bankman-Fried, CEO i bursës famëkeqe të kriptomonedhave FTX, dëshmon sot para gjykatës

Dëshmia e tij do të jetë e para përballë një trupe prej 12 anëtarësh të cilët do të dëgjojnë drejtpërdrejtë nga ish-miliarderi pas 12 ditësh që nga hapja e procesit gjyqësor.

Sam Bankman-Fried pritet të dalë ditën e Premte përpara trupit gjykues në Nju Jork për të dëshmuar në lidhje me akuzat e mashtrimit dhe keqpërdorimit të fondeve të konsumatorëve përmes bursës së tij të kriptomonedhave FTX.

Dëshmia e tij do të jetë e para përballë një trupe prej 12 anëtarësh të cilët do të dëgjojnë drejtpërdrejtë nga ish-miliarderi pas 12 ditësh që nga hapja e procesit gjyqësor.

Bankman-Fried filloi të dëshmonte ditën e Mërkure në një dëgjesë të pazakontë pa prezencën e jurisë. Prokurorët akuzojnë Bankman-Fried për përdorimin e fondeve të konsumatorëve të FTX për të financuar fondin e tij kripto, Alameda Research, përmes të cilit bënte investime spekulative e madhe dhuroi 100 milionë dollarë për fushatat politike Amerikane.

Ai përballet edhe me akuzat e mashtrimit të kredidhënësve dhe investitorëve të FTX. Gjyqi i Bankman-Fried, që filloi më 3 Tetor, po i afrohet fundit pas një viti që nga kolapsi i FTX i cili erdhi pas tërheqjeve në masë nga përdoruesit.

Kompania shpalli falimentin në Nëntor 2022 ndërsa një muaj më pas Bankman-Fried u arrestua. Gjatë pyetjeve të bëra nga avokati i tij mbrojtës Mark Cohen, Bankman-Fried zbuloi se juristët e kompanisë ishin të përfshirë në përpilimin e politikave dhe krijimin e një sistemi nën të cilin konsumatorët e FTX depozitonin fondet e tyre në llogarinë bankare të Alameda.

Bankman-Fried tha se ai besonte që Alameda kishte leje për të marrë hua nga FTX në kushte të caktuara, por kundërshtoi idenë se po përdorte asetet e konsumatorëve për qëllime të tij vetjake.