Samiti i NATO-s – Presidenti Erdogan udhëton sot për në Bruksel me një agjendë të ngjeshur

Kreu i Shtetit të Turqisë do të ketë takime kokë më kokë me liderët e shteteve anëtare të NATO-s: Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës – Joe Biden, Presidentin e Lituanisë – Gitanas Nauseda, Presidentin e Letonisë – Egils Levits, Kancelaren e Gjermanisë – Angela Merkel, Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar – Boris Johnson dhe Kryeministrin e Greqisë – Kiryakos Mitsotakis.

Gjithashtu planifikohet që Presidenti Erdogan të takohet edhe me Presidentin e Francës – Emmanuel Macron dhe Kryeministrin e Holandës – Mark Rutte.

Krahas çështjeve në kuadër të aleancës në NATO, gjatë bisedimeve pritet të jenë në rendin e ditës edhe marrëdhëniet dypalëshe e rajonale.

Ndërkaq, takimi Erdogan-Biden do të jetë i pari midis dy udhëheqësve pas zgjedhjes së Joe Biden në postin e Presidentit të SHBA-së.

Agjenda parësore e delegacionit turk të udhëhequr nga Presidenti Erdogan në Samitin e NATO-s do të jetë respektimi i të drejtave të sovranitetit të Turqisë dhe ndjeshmëria e sigurisë në lidhje me zhvillimet në rajonin e saj. Në samit do të theksohet vendosmëria e Turqisë për këto çështje.

Po ashtu do të nënvizohet se Turqia është një shtet anëtar (i NATO-s) që i përmbush detyrat, përgjegjësitë dhe angazhimet e tij në kuadër të Aleancës, si dhe do të përsëriten propozimet e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit dhe ndërhyrjen efektive në krizat humanitare. /trt