Saudia: Nuk duam konflikt me Iranin

Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Adil al-Xhubejr deklaroi se nuk dëshirojnë të hyjnë në konflikt të drejtpërdrejtë me udhëheqjen e Iranit, por dëshirojnë vendosjen e embargos ndaj këtij vendi.

Xhubejr bëri deklarata të rëndësishme për kanalin televiziv amerikan CNBC në lidhje me zhvillimet “e nxehta” rajonale dhe ato ndërkombëtare.

Në lidhje me raketën balistike të lëshuar ndaj kryeqytetit Riad të Arabisë Saudite nga ana e Jemenit, shefi i diplomacisë saudite tha: “Kjo raketë ishte e ngjashme me atë të prodhimit iranian që u lëshua nga Jemeni më 22 korrik ndaj provincës Yenbu të Arabisë Saudite”.

Xhubejr pretendoi se raketa në fjalë është dërguar fshehurazi në Jemen, ku është montuar nga ana e ekspertëve ushtarak të Hizbullahut dhe Gardës Revolucionare të Iranit, ndërsa shtoi se këta ekspert koordinuan sulmin ndaj Arabisë Saudite dhe trajnuan personat që e përdorën atë.