SBASHK: Greva në arsim mund të zgjasë me muaj

Sot është dita e tetë e grevës së mësimdhënësve në gjithë Kosovën, të cilët po kërkojnë ngritjen e koeficientit. Gjatë ditës, kryeministri Ramush Haradinaj ka përsëritur se të gjitha orët e humbura, si shkak i grevës në arsim do të kompensohen. Por, një deklaratë e tillë nuk është mirëpritur nga SBASHK-u. Ymer Ymeri, menaxher i financave në SBASHK, ka thënë se institucionet nuk duhet të dalin me deklarata të tilla. “Mendoj që institucionet duhet të kursehen me deklarata për fillimin ose kompensimin e orëve se ende jemi në grevë. Besoj që kemi nevojë të zhvillojmë dialog se si ta ndërprejmë grevën e jo të bisedojmë sot për zëvendësimin e orëve të humbura kur ende jemi në grevë”. “Ndoshta greva do të zgjasë edhe me muaj. Nuk duhet institucionet të kërkojnë që të zëvendësohen ditët e humbura”, tha Ymeri në Info Magazine të Klan Kosovës. Ai ka treguar edhe arsyet se pse SBASHK-u nuk e ka pranuar ofertën e Qeverisë, por e ka vazhduar grevën. “Oferta e Qeverisë është rritja prej 0.2 duke iu shtuar çdo koeficienti të punonjësve të arsimit parauniversitar pa i përfshirë çerdhet, Universitetin. Është një ofertë shuma e përgjithshme e të cilës është 10-12 milionë euro”. “Diferenca mes sektorëve të tjerë dhe arsimit është shumë e madhe dhe kjo është një nga arsyet pse anëtarësia jonë e ka refuzuar këtë ofertë”. Komunat e ndara për grevën e SBASHK-ut, Istogu vazhdon grevën, Deçani fillon me mësim “Nëse krahasohemi me Shqipërinë dhe Maqedoninë, paga e mësimdhënësit në Shqipëri dhe ministrit është në raport 1 me 1.2, në Kosovë është 1 me 5”, tha ai.