SBASHK reagon pas vendimit të Gjykatës, thotë se nuk është refuzuar padia ndaj MASHT-it

Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka reaguar për raportimet se Gjykata Themelore e Prishtinës e ka refuzuar padinë e tyre kundër ministrisë së Arsimit.

Përmes një komunikate për media SBASHK ka sqaruar se nuk është refuzuar padia ndaj vendimit por vetëm kërkesa për pezullimin e vendimit të MASHT-it, raporton lajmi.net.“Për hirë të informimit të drejtë të opinionit po japim sqarimin se Departamenti për çështje administrative i Gjykatës Themelore në Prishtinë sot ka nxjerr një vendim që ka të bëj me njërën nga kërkesat e SBASHK-ut që i janë drejtuar kësaj Gjykate më 4 mars e që kanë të bëjnë me Padi-kërkesën ndaj vendimit të MASHT-it lidhur me kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës”, thuhet në njoftim.

SBASHK-u në Padi-ankesë kishte ngritur dy çështje:

Padi ndaj vendimit të pabazuar në ligj të MASHT-it dheKërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të këtij vendimi deri në vendimin e plotfuqishëm të Gjykatës.“Gjykata nuk ka aprovuar kërkesën e SBASHK-ut për shtyrjen e pezullimin e përkohshëm të vendimit të MASHT-it lidhur me orët e humbura gjatë grevës, por ka cekur se kjo nuk prejudikon vendosjen meritore të aktvendimit për padinë e SBASHK-ut ndaj MASHT-it”, thuhet në komunikatë.

Edhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari në një prononcim për lajmi.net ka thënë se Gjykata nuk e ka hedhur poshtë padinë, mirëpo vetëm kërkesën për pezullimin e vendimit.Ai tutje ka thënë se pret nga Gjykata të mbahet një seancë dhe që të merret vendim meritor.