Scholz gëzon mbështetjen e koalicionit mbi debatin e dërgimit të armëve në Ukrainë

Ministri gjerman i financave Christian Lindner shprehu mbështetjen e tij për trajtimin e dorëzimeve të armëve në Ukrainë nga kancelari Olaf Scholz në një kongres të Partisë së Lirë Demokratike (FDP).

Scholz ishte në ”shënjestër” brenda dhe jashtë vendit për refuzimin e Gjermanisë për të furnizuar armë të rënda, si tanke, pavarësisht lutjeve të presidentit Volodymyr Zelensky.

Lindner, i cili ka drejtuar FDP-në miqësore për biznesin që nga viti 2013, është një figurë me ndikim në politikën gjermane. Partia e tij është pjesë e qeverisë së bashku me të Gjelbërit dhe socialdemokratët e qendrës së majtë të Scholz.

Duke folur në video nga Uashingtoni, ku mori pjesë në takimet e G20 dhe G7 dhe tani po izolohet për Covid-19, ai tha se “kancelari ka besimin e FDP”.

Në të njëjtën kohë, Lindner akuzoi opozitën Demokristiane (CDU) se po luan lojëra politike në një kohë krize.

Partia e ish-kancelares Angela Merkel kishte bërë thirrje për dërgesa të armëve të rënda në Ukrainë.

Lindner tha se CDU e qendrës së djathtë po luante një “lojë të rrezikshme” dhe rrezikonte “të destabilizonte qeverinë”.

Por ndërsa shprehu mbështetje për Scholz-in, ai gjithashtu iu bashkua korit të atyre që i kërkonin kancelares të dërgonte armë të rënda. /atsh