Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Sekretari amerikan i Mbrojtjes: Fushata kundër Iranit është vetëm fillimi

Sekretari amerikan i Mbrojtjes: Fushata kundër Iranit është vetëm fillimi

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth tha se operacionet ushtarake amerikane kundër Iranit janë larg përfundimit, duke paralajmëruar se fushata sapo ka filluar, ndërsa SHBA-ja dhe Izraeli vazhdojnë sulmet e tyre në javën e dytë, transmeton Anadolu.

Në një intervistë të transmetuar të dielën në “60 Minutes” në CBS News, Hegseth tha se aftësia e Iranit për të projektuar pushtet në rajon po dobësohet vazhdimisht.

“Duke u zvogëluar dhe do të zvogëlohet gjithnjë e më shumë. Përsëri, ajo që dua është që shikuesit tuaj ta kuptojnë se ky është vetëm fillimi”, tha Hegseth.

Sipas Pentagonit, më shumë se 50 mijë trupa amerikane janë të përfshira në atë që quhet operacioni “Furia Epike” (Epic Fury), me ushtrinë amerikane që ka goditur tashmë rreth 3.000 objektiva brenda Iranit që nga e premtja.

– “Do të ketë më shumë viktima”

Hegseth tha se fushata po vazhdon sipas planit, por hodhi poshtë sugjerimet se po i afrohet përfundimit.

“Ne jemi shumë në rrugën e duhur, sipas planit”, tha ai duke shtuar se SHBA-ja dhe Izraeli posedojnë aftësi ushtarake “dërrmuese” krahasuar me Iranin. “Kur kombinoni forcën tonë ajrore me forcën ajrore të Forcave të Mbrojtjes Izraelite, ato janë dy forcat ajrore më të fuqishme në botë”, shtoi ai.

Hegseth përsëriti kërkesën e presidentit Donald Trump për “dorëzimin pa kushte” të Iranit, duke thënë se qëllimi është t’i bëjë forcat iraniane të paafta për të vazhduar luftën. “Do të thotë që ne po luftojmë për të fituar. Do të thotë që ne i vendosim kushtet. Do ta dimë kur ata nuk do të jenë të aftë të luftojnë”, tha Hegseth.

Komentet vijnë ndërsa tensionet rajonale përshkallëzohen mes sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj objektivave iraniane dhe sulmeve hakmarrëse në të gjithë Lindjen e Mesme.

Sipas Pentagonit, SHBA-ja është e përgatitur të vazhdojë fushatën për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të arritur objektivat e saj. Hegseth paralajmëroi se priten viktima ndërsa konflikti vazhdon.

“Presidenti ka patur të drejtë kur tha se do të ketë viktima. Do të ketë më shumë viktima”, tha ai duke shtuar se humbje të tilla “na forcojnë shpinën dhe vendosmërinë për të thënë se kjo është një luftë që do ta përfundojmë”.