Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kërkoi një aleancë të ripërtërirë transatlantike të bazuar në sovranitet, qëndrueshmëri ekonomike dhe identitet të përbashkët perëndimor, ndërsa paraqiti qasjen e Washingtonit ndaj konflikteve globale dhe konkurrencës me Kinën, raporton Anadolu.
Duke folur në tubimin vjetor të liderëve globalë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Gjermani, Rubio e përshkroi këtë moment si një pikë kthese për Evropën dhe SHBA-në, duke bërë paralele historike me epokën e Luftës së Ftohtë, kur kjo konferencë nisi në 1963.
“Jemi mbledhur sot si anëtarë të një aleance historike, një aleance që shpëtoi dhe ndryshoi botën”, tha Rubio, duke kujtuar Evropën e ndarë dhe kërcënimet ekzistenciale të komunizmit sovjetik. Ai paralajmëroi se optimizmi pas Luftës së Ftohtë kishte krijuar atë që ai e përshkroi si supozime të gabuara rreth globalizimit dhe demokracisë liberale.
“Euforia e kësaj fitoreje na çoi në një iluzion të rrezikshëm… se çdo komb do të bëhej tani një demokraci liberale”, tha ai, duke argumentuar se varësia e tepruar nga institucionet globale, politikat e tregtisë së lirë dhe migrimi masiv kishin dobësuar shoqëritë perëndimore dhe kishin minuar sovranitetin ekonomik.
– “Një civilizim, civilizimi perëndimor”
Rubio theksoi drejtimin e politikës së jashtme të administratës së Donald Trumpit, duke përqendruar strategjinë te interesat kombëtare, kufijtë më të fortë dhe rinovimi industrial.
“Nën Presidentin Trump, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të marrin përsëri detyrën e rinovimit dhe restaurimit”, tha ai, duke shtuar se Washingtoni preferon ta ndjekë këtë vizion së bashku me aleatët evropianë.
Duke theksuar lidhjet kulturore dhe historike të përbashkëta, Rubio përshkroi marrëdhënien transatlantike si të bazuar në “një civilizim, civilizimin perëndimor,” dhe u bëri thirrje partnerëve evropianë të rrisin kapacitetet mbrojtëse dhe të ruajnë besimin kulturor.
Ai tha se aleancat duhet të përqendrohen jo vetëm te bashkëpunimi ushtarak, por edhe te konkurrenca teknologjike, siguria e zinxhirëve të furnizimit dhe sektorët e rinj si inteligjenca artificiale dhe eksplorimi i hapësirës.
“Ushtritë luftojnë për një popull. Ushtritë luftojnë për një komb. Ushtritë luftojnë për një mënyrë jetese”, tha Rubio, duke pohuar se Perëndimi duhet të përcaktojë qartë vlerat që kërkon të mbrojë.
– “Nuk e dimë nëse rusët seriozisht duan ta përfundojnë luftën”
Sekretari amerikan kritikoi gjithashtu disa aspekte të sistemit aktual ndërkombëtar, duke pohuar se institucionet globale duhet të reformohen për të mbetur efektive.
Duke njohur potencialin e OKB-së, ai tha se ajo ka dështuar të zgjidhë disa kriza kryesore, duke përmendur Gazën, Ukrainën dhe programin bërthamor të Iranit si shembuj ku iniciativat e udhëhequra nga SHBA-ja ose veprimet ushtarake luajtën rol vendimtar.
Gjatë një seance pyetje-përgjigje, Rubio trajtoi luftën në Ukrainë, duke thënë se negociatat mbeten të pasigurta pavarësisht disa kontakteve teknike midis zyrtarëve rusë dhe ukrainas.
“Nuk e dimë nëse rusët duan seriozisht ta përfundojnë luftën”, tha ai, duke shtuar se sanksionet dhe mbështetja ushtarake për Kievin vazhdojnë ndërsa Washingtoni teston mundësinë e një marrëveshjeje të negociuar që të jetë “e drejtë dhe e qëndrueshme”.
Në lidhje me Kinën, Rubio theksoi nevojën për dialog pavarësisht rivalitetit strategjik para një samiti të planifikuar midis presidentit Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping.
“Të mos jesh në bisedime me Kinën do të ishte gabim gjeopolitik”, tha ai, duke vënë në dukje se bashkëpunimi është i mundur ku interesat përputhen, por paralajmëroi se “asgjë nga ajo që bien dakord nuk mund të bëhet në kurriz të interesave tona kombëtare”.
Rubio përfundoi duke i bërë thirrje Evropës dhe SHBA-së të refuzojnë narrativat e rënies perëndimore dhe të ndjekin një partneritet të ri. “Ne nuk synojmë të ndahemi, por të rigjallërojmë një miqësi të vjetër dhe të rinovojmë civilizimin më të madh në historinë njerëzore”, tha ai.





