Sekreti i ringritjes së kombeve: krijimtaria, kërkimi shkencor dhe kontributi qytetërues

Kur shfletojmë faqet e historisë njerëzore dhe meditojmë mbi rrjedhën e saj të gjatë, të shtrirë në mijëra vjet, para syve tanë shfaqet një ligj i qëndrueshëm që nuk ndryshon dhe një sunnet historik që nuk dështon kurrë: madhështia dhe lartësimi i kombeve nuk ndërtohen mbi pasuri të derdhura apo mbi ushtri të mëdha vetëm, edhe pse këto janë mjete force; themeli i vërtetë i ringritjes së kombeve është ajo që i japin njerëzimit prej dijes, ajo ide që i dhurojnë botës dhe ato vlera e njohuri që i mbjellin në tokë. Janë kombet dhuruese, e jo ato konsumatore, që gdhendin emrat e tyre në faqet e përjetësisë.

Dhurimi i dijes themeli i qytetërimeve

Mendimtarët dhe historianët e mëdhenj, si Ibn Halduni, Toynbee dhe Will Durant, e kanë kuptuar se qytetërimet nuk ngrihen mbi rehati e luks, por ngrihen atëherë kur zotërojnë gjenialitetin e mendjes dhe guximin e të menduarit që u mundëson të riformësojnë botën. Prandaj Toynbee ka thënë fjalën e tij të famshme: “Qytetërimet hedhin hapa përpara falë përpjekjeve të pakicave krijuese dhe bien kur shuhet shkëlqimi i krijimtarisë dhe thahen burimet e forcave krijuese.”

Ringritja nuk është produkt i shumësisë së popullsisë apo i bollëkut të burimeve, por para së gjithash dhe mbi të gjitha fryt i mendjes krijuese, i imagjinatës krijuese dhe i ndërgjegjes që dëshiron t’i shtojë ekzistencës diçka të re.

Historia ka treguar vazhdimisht se kombet që u mjaftuan me konsum, që pranuan të jenë të varura nga të tjerët, mbetën – sado të rritej të ardhurat apo fuqia e tyre materiale – në skajet e ndikimit, pa qenë në gjendje t’i ofrojnë vetes apo të tjerëve udhëzim e orientim.

Myslimanët… kur ishin “një umet dhurues”

Shembulli më i qartë i këtij ligji qytetërues është historia e umetit islam. Kur myslimanët dolën nga Gadishulli Arabik në shekullin e shtatë pas Krishtit, ata nuk dolën vetëm si pushtues me shpatë, por si krijues, mësues dhe ripërtëritës. Umeti u ngrit me një hov të jashtëzakonshëm, aq sa për disa shekuj u bë ndërgjegjja dhe mendja e botës.

Qendrat e qytetërimit islam – Bagdadi, Kordoba, Kajroja, Samarkandi – u shndërruan në destinacion të dijetarëve dhe në magnet për kërkuesit e urtësisë. Aty u themelua “Shtëpia e Urtësisë”, e cila i ngjante një akademie ndërkombëtare të shkencave. U shfaqën medresetë nizamije, që hodhën themelet e arsimit akademik modern. U ngritën biblioteka gjigante, përmbajtja e të cilave nuk kishte precedent në botë.

Myslimanët nuk ishin vetëm përçues të dijes greke, perse dhe indiane; përkundrazi – dhe kjo është më e rëndësishmja – ata ishin zhvillues dhe krijues, që riformësonin njohuritë dhe u shtonin atyre vlera që i çonin në një nivel më të lartë.

Fanarët e shkencave në epokën e artë islame

Në matematikë spikati el-Huarizmij, në duart e të cilit lindi algjebra, e cila më pas u bë themel i informatikës moderne.

Në fizikë u ngrit Ibn el-Hejthemi, i cili vendosi bazat e optikës dhe metodën e eksperimentimit të saktë shumë shekuj para lindjes së Galileos.

Në mjekësi, erdhën er-Razi dhe Ibn Sina si pionierë, veprat e të cilëve u mësuan në universitetet evropiane deri në shekullin e shtatëmbëdhjetë.

Ndërsa në filozofi, sociologji dhe studimin e qytetërimit, Ibn Rushdi në Perëndimin islam dhe Ibn Halduni në Magrebin arab themeluan shkolla mendimi, ndikimi i të cilave vazhdon deri në ditët tona.

Kështu, qytetërimi islam u shndërrua në një qytetërim dhurues, prej të cilit përfitoi Evropa dhe mbi bazën e të cilit ndërtoi ringritjen e saj moderne.

Dhurimi qytetërues… nga arkitektura te administrimi

Krijimtaria myslimane nuk u kufizua vetëm në shkencat natyrore, por përfshiu edhe sisteme të plota qytetare, si:

Spitalet vakëfe, që paraprinë homologët e tyre perëndimorë me shekuj,

Qytetet e planifikuara me harmoni urbanistike,

Sistemet e gjyqësorit dhe administrimit të ndërtuara mbi transparencën,

Universitetet dhe qendrat e përkthimit,

Banjat publike, rrugët e shtruara dhe ndriçimi i natës,

si dhe tradita e vakëfit që mbështeti dijen dhe shërbimet shoqërore.

Qytetërimi islam ishte shembull i asaj që sot mendimtarët e quajnë “shtet social dhe civil”, shumë kohë përpara se ky term të shfaqej.

Kur u ndal krijimtaria… filloi rënia

Por, sipas ligjit të historisë, kur u shua flaka e krijimtarisë, kur u dobësua ixhtihadi dhe u zbeh kërkimi shkencor, filloi rënia graduale. Myslimanët nuk ranë kur u dobësuan ushtritë e tyre, por kur u dobësuan mendjet e tyre; kur zëvendësuan ixhtihadin me imitimin, kërkimin me polemikën dhe dijen e gjallë me tekste të ngurta.

Atëherë u përparuan kombe të tjera: Evropa, pastaj Amerika dhe Japonia, e së fundmi Kina, e cila e bëri shkencën dhe teknologjinë shkallën e saj drejt fuqisë dhe ndikimit.

Ligji i përhershëm i historisë: kush udhëheq mendjen, udhëheq botën

Historia na mëson se udhëheqja globale nuk buron nga arma, por nga mendja krijuese; se ndikimi politik forcohet me fuqinë e inovacionit shkencor; dhe se lavdia qytetëruese nuk fitohet me pasuri, por me dije prodhuese.

Ndërsa kombet konsumatore mbeten gjithmonë në fund të karvanit, sado të larta të jenë zërat e tyre apo sado të mëdha të jenë pasuritë e tyre.

Njerëzimi sot, ashtu si dje, nuk kërkon kombin më të fortë fizikisht, por kombin më të fortë mendërisht; jo kombin që bërtet më shumë, por kombin që dhuron më shumë.

Në fund, theksojmë se ringritja e sotme nuk ndryshon nga ringritja e djeshme: myslimanët u ngritën kur ishin një ummet aktiv, kërkues, inovator dhe dhurues, dhe u dobësuan kur u shndërruan në konsumatorë, imitues dhe ndjekës.

Ligji që sundoi dje, sundon edhe sot: dija, pastaj inovacioni, pastaj dhurimi: janë çelësat e ringritjes.

Kush dëshiron të udhëheqë botën, le të udhëheqë më parë mendimin.

Kush synon lavdinë e kombeve, le të ndërtojë lavdinë e dijes.

Dhe kush aspiron udhëheqjen e së ardhmes, le t’i ofrojë njerëzimit diçka që t’ia ndriçojë rrugën.

Sepse kombet që japin, janë kombet që ngrihen.

Kombet që mendojnë, janë kombet që udhëheqin.

Dhe kombet që krijojnë, janë kombet që shkruajnë emrat e tyre në regjistrin e përjetësisë.

Autor: Shuajb Hysejn Nedeuij

Përktheu: Elton Harxhi