Sentop: Emigrimi i parregullt është një problem global

Mustafa Sentop

Kryetari i Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Mustafa Sentop tha se nuk ka vend që mund të kujdeset përgjithmonë për refugjatët, dhe këtë nuk mund ta bëjë as Turqia. “Ky është një problem global”, u shpreh ai.

Mustafa Sentop u takua me gazetarët turq dhe austriakë në Ambasadën Turke në Vjenë dhe iu përgjigj pyetjeve të rendit të ditës.

Duke iu referuar valës së mundshme të emigrimit nga Afganistani, Sentop tha: “Ashtu si asnjë vend që nuk ka mundësi të mbledhë refugjatë nga e gjithë bota dhe të kujdeset për ta përgjithmonë, as Turqia nuk mund ta bëjë këtë. Ky është një problem global. Bashkësia ndërkombëtare mund të mblidhet dhe të kontribuojë në zgjidhjen e problemit me një perspektivë globale.”

Ai vlerësoi edhe ardhjen në pushtet të talibanëve në Afganistan.

“Duket se gjithçka që po përpiqej të vendosej në Afganistan nën udhëheqjen e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka dështuar. Vendet që janë përpjekur të “çojnë demokracinë” në shumë pjesë të botës, pra që janë nisur me këtë qëllim, i kanë të kthyer ato vende kudo që ata kanë shkuar, në një hapësirë gjeografike të paqëndrueshme. Afganistani është shembulli i parë, në të njëjtën mënyrë janë edhe Siria, Iraku, Libia”, tha Sentop.

“Lëvizjet e popullsisë janë një çështje shumë e rëndësishme që duhet marrë seriozisht” tha Sentop dhe shtoi: “Unë mendoj se ditët tona sot janë ende ditë të mira. Botën e pret një lëvizje shumë serioze e popullsisë. Në këtë drejtim, po e them këtë veçanërisht për vendet e pasura, nëse nuk zhvillojmë projekte që do t’u mundësojnë njerëzve të jetojnë në paqe, qetësi dhe kushte minimale humanitare në tokën e tyre, në shtëpitë e tyre, bota do të përballet me lëvizje shumë të rëndësishme të popullsisë në çerek shekullin e ardhshëm.” /trt