Serbi/ Kina synon të zërë vendin e Rusisë

Ditë më parë, gjashtë avionë transportues të Forcave Ajrore Kineze Y-20, u ulën në aeroportin ndërkombëtar “Nikola Tesla” në Beograd, duke mbartur sisteme raketore tokë-ajër FK-3 për ushtrinë serbe. Serbia do të jetë operatori i parë i raketave kineze në Europë dhe sistemi F-3, i krahasuar me versionin amerikan American Patriot dhe atë rus S-300, shënon një hap tjetër në përpjekjen e Pekinit për të përhapur ndikimin e tij në Perëndim.

Por kjo nuk është hera e parë që Beogradi merr ndihmë nga Kina. Pothuajse dy vite më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, erdhi në këtë aeroport për të mirëpritur një avion Airbus nga Kina, që mbante dërgesën më të madhe të ndihmave që ka marrë Serbia gjatë pandemisë së koronavirusit. Duke qëndruar pranë mjekëve kinezë dhe dërgesës së pajisjeve mjekësore, Vuçiç falënderoi presidentin kinez Xi Jinping, Partinë Komuniste të Kinës dhe popullin kinez: “Ne i falënderojmë ata me gjithë zemër”. Pothuajse menjëherë, Kina u bë miku më i madh i Serbisë në mediat e vendit. Një video e Vuçiç duke puthur flamurin kinez, u bë virale.

Me një popullsi prej pothuajse 8 milionë banorësh, Serbia është vendi më i madh në Ballkanin Perëndimor, një rajon që është kthyer në një qendër strategjike kineze, që mund të lidhë Portin e Pireut në Greqi, të cilin Kina e bleu në vitin 2016, me vendet e Europës Qendrore. Në të kaluarën, Serbia ka qenë anëtare kyçe e ish-Jugosllavisë, të cilën Joseph Stalin donte ta përfshinte si anëtare të bllokut të vendeve komuniste të udhëhequra nga BRSS-ja. Lidhjet historike të Serbisë me Rusinë, mbetën të qëndrueshme, duke u forcuar pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990. Një sondazh i vitit të kaluar, zbuloi se 54% e qytetarëve serbë, e shohin Rusinë si një aleate dhe 95% e shohin atë si një aleate e domosdoshme. Vetëm 11% e konsiderojnë BE-në të tillë.

Edhe pse Serbia është zyrtarisht kandidate për anëtarësim në BE, presidenti i vendit nuk ka treguar ndonjë përkushtim të madh ndaj bllokut dhe vlerave të tij. Në fakt, marrëdhënia e tij me Brukselin ka qenë thjesht transaksionale, dhe si pjesë e kësaj qasjeje, ai ka ndërtuar lidhje të ngushta me Moskën dhe Pekinin, në mënyrë që të nxjerrë përfitime më të mëdha politike dhe ekonomike nga BE-ja, duke anuar nga Perëndimi në Lindje dhe anasjelltas, sa herë që i vjen përshtat. Kjo strategji duket se po funksionon mirë, siç tregohet nga fitorja e tij e madhe në zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë. Vuçiç, ish-ministër i Informacionit në qeverinë jugosllave të Slobodan Millosheviçit, fitoi 60% të votave, megjithëse shifra u kundërshtua nga opozita dhe vëzhguesit e pavarur. Që kur partia e tij erdhi në pushtet në vitin 2012, Vuçiç, ish-ultranacionalist i cili më parë ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes dhe Kryeministër, gradualisht ka shtypur mediat dhe institucionet kryesore, duke marrë kontrollin e plotë të vendit.

Pyetja tani është se për sa kohë ai mund të vazhdojë trekëndëshin e tij gjeopolitik, veçanërisht duke marrë parasysh pushtimin e Ukrainës. Aktualisht, BE-ja është burimi kryesor i ndihmës financiare, investimeve të huaja dhe tregtisë për Serbinë, dhe madje edhe para krizës aktuale, Rusia nuk mund ta kishte zëvendësuar kurrë Europën si partneri kryesor ekonomik i Serbisë. Megjithatë, Serbia është pothuajse tërësisht e varur nga gazi rus për energjinë dhe ushtria e saj mban lidhje të ngushta me ushtrinë ruse. Për vite me radhë, Serbia ka marrë pjesë në lojërat e luftës ruso-bjelloruse-serbe të quajtura “Vëllazëria Sllave”, duke forcuar lidhjet sllave që datojnë që në epokën e Stalinit.

Por ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon, Beogradi ka filluar të ndiejë presion për shkak të lidhjeve të forta me Rusinë. Edhe pse Serbia votoi në favor të rezolutës së OKB-së për të dënuar Rusinë për pushtimin e saj në Ukrainë dhe mbështetjen e integritetit territorial të Ukrainës, Beogradi e shmangu vendosjen e sanksioneve ekonomike kundër Moskës. Por teksa Rusia përballet me një periudhë të gjatë izolimi politik dhe trazirash ekonomike, strategjia e Beogradit për trekëndëshin duket gjithnjë e më e pazbatueshme dhe është vetëm çështje kohe derisa Serbia të detyrohet të zgjedhë një anë. Sidoqoftë, presidenti Putin mbetet i pëlqyer mes popullatës sllave në Serbi, kështu që reagimi i brendshëm kundër çdo politike antiruse do të ishte i madh, sipas analistëve serbë. Realiteti ekonomik është se Vuçiç nuk ka zgjidhje tjetër veçse të mbajë anë, ose me Brukselin ose me Pekinin. /monitor