Serbi, shkëmbimet tregtare me Kinën arrijnë 5.3 miliardë euro

Tregtia midis Serbisë dhe Kinës po forcohet çdo ditë e më shumë, duke dëshmuar besimin e kompanive kineze në Serbi, tha kryeministrja Ana Brnabic, në ceremoninë e hapjes së Dhomës së Kompanive Kineze në Serbi.

Ceremonia, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës Kineze në Serbi dhe disa kompani kineze, u shoqërua me një ekspozitë për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Në fjalimin e saj, Brnabic theksoi rolin e rëndësishëm që do të luante dhoma e re në zhvillimin e partneritetit midis dy vendeve.

“Krijimi i dhomës është një mesazh i qartë se kompanitë kineze kanë besim në Serbi, në stabilitetin politik dhe ekonomik të Serbisë dhe kanë synimin të investojnë gjithnjë e më shumë në vendin tonë”, tha ajo.

Duke vlerësuar forcimin e bashkëpunimit ekonomik midis Serbisë dhe Kinës në vitet e fundit, kryeministrja tha se në vitin 2021, shkëmbimet tregtare dypalëshe kapnin vlerën 5.3 miliardë euro (5.86 miliardë dollarë amerikanë), dhe se në pesë vitet e fundit, vëllimi i eksporteve të Serbisë në Kinë, u rrit 15 herë.

Song Sihai, drejtori i HBIS Serbia, i cili u bë president i Dhomës së Kompanive Kineze në vend, tha se dhoma e re mund të ofrojë këshilla për kompanitë kineze që janë të interesuara për të zhvilluar biznesin e tyre në Serbi.

Ai tha se kompanitë kineze do të përfitojnë nga kjo dhomë përmes mësimit, mbështetjes dhe shkëmbimit të përvojave, si dhe duke i afruar anëtarët e dhomës dhe rrethet e biznesit vendas me njëri-tjetrin.

Tian Yishu, nëpunës në Ambasadën Kineze, tha se marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, nxitën rritjen ekonomike dhe realizimin e projekteve të shumta në fushën e infrastrukturës, energjisë dhe kapaciteteve prodhuese, dhe se vëllimi i tregtisë dypalëshe u rrit me 52.5%nga viti 2020 deri në 2021, pavarësisht efekteve të pandemisë COVID-19.

“Të gjithë të pranishmit këtu janë pjesëmarrës dhe promovues të bashkëpunimit ekonomik Kinë-Serbi dhe besoj se përmes bashkëpunimit të institucioneve për nxitjen e investimeve dhe bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet kompanive kineze dhe serbe, lidhja ekonomike dhe tregtare mund të ngrihet në një nivel edhe më të lartë”, tha ai. /monitor