Serbia e përkëdhelur – Kosova e ndëshkuar

Ismail Sinani

 

A po e paguajnë shqiptarët çmimin e orvatjes shekullore të Perëndimit për ta afruar Serbinë në kampin perëndimor? A po deshtetëzohet Kosova nga Perëndimi çdo ditë e me shumë për ta përfituar “zemrën” e Beogradit? Këto dy pyetje do të duhej të ishin në fokus të elitave politike shqiptare, por edhe të atyre të pakta vërtet intelektuale, që ia duan të mirën kombit.

Në vend të këtyre dilemave, “elitat”, ata që zhvillimet e fundit i shohin përmes “tagrit”, po përpiqen të krijojnë një realitet të ri distopik, i cili në këtë rast e ndihmon shumë Serbinë, por edhe ata që nuk e duan Kosovën ose që janë penduar për ndihmën që ia kanë dhënë në vitin 1999. Pra, zhvillimet e fundit në Kosovë nuk duhet parë vetëm përmes “ideologjizimit” të tyre televiziv, por duke u bazuar në fakte konkrete, për t’u dhënë një pasqyrim të ri si reflektim që po ia imponon Perëndimi Kosovës në emër të çmimit që duhet ta paguajë për ta krijuar shtetin e munguar nga viti 1912 e këndej.

Kur i hedhim një sy historisë, shihet qartë se zullumet më të mëdha në këto treva, e posaçërisht nga viti 1878 e këndej, i ka shkaktuar Serbia. Zaptimet territoriale, masakrat, gjenocidet që i kanë përjetuar shqiptarët, por edhe boshnjakët, e kanë një adresë të vetme – Serbinë. Po kjo Serbi ishte ajo që e nxiti edhe Luftën e Parë Botërore, duke u bërë kështu shkaktare për një çoroditje totale të sistemit në mbarë globin. Por, çfarë ndodhi pas këtij incidenti më 28 qershor 1914 në Sarajevë me përmasa globale? Serbia mori shpërblimin më të madh të mundshëm që nga koha e Car Dushanit, i mori nën zotim thuajse të gjitha trevat e ish-Jugosllavisë. Po kështu, e njëjta Serbi u shpërblye me Kosovën dhe Vojvodinën edhe pas Luftës së Dytë Botërore, ndonëse shqiptarët kishin besuar fort se anglezët do të qëndronin në krah të tyre.

Sikur e gjithë kjo nuk mjaftoi, edhe pas luftërave të përgjakshme të shkaktuara nga Serbia gjatë viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar, si pjesë e historisë moderne të këtij nënqielli, ky shtet megjithatë e mori si shpërblim gjysmën e Bosnjës, e “betonoi” Vojvodinën si territor të vetin, kurse tanimë ka interferuar fuqishëm në politikën e brendshme të Malit të Zi dhe, gjithsesi, edhe në Kosovë përmes enklavave të serbëve.

Pjesa më e dhimbshme e gjithë këtij procesi është heshtja e vazhdueshme e Perëndimit, i cili si duket tani është i gatshëm të bëjë favore shtesë në kurriz të Kosovës, tokave shqiptare, për ta avitur edhe më shumë Serbinë pranë vetes.

Nisur nga gjithë kjo që u tha më lart dhe duke i pasur parasysh dy pyetjet e parashtruara në fillim, a mund të themi se jemi dëshmitarë edhe të një dështimi të radhës të Perëndimit në këto treva në dëm të shqiptarëve? A duhet të reflektojë dikush në Perëndim se, pavarësisht koncesioneve historike që i janë bërë Serbisë, ky shtet asnjëherë nuk e ka zhvendosur orbitën e tij të veprimit si pjesë e satelitëve të Rusisë? A dëshiron Perëndimi ta bëjë Serbinë “Policin e Ballkanit”? A duhet të fillojnë të flasin shqiptarët pak më zëshëm mbi këtë “ecuri” të Perëndimit apo duhet të heshtin me arsyetimin se “NATO na ka ndihmuar në vitin 1999” dhe se “tani duhet të bëjmë gjithçka që na kërkohet, qoftë edhe në dëmin tonë”?

Ne, shqiptarët, disi edhe pas 33 vjetëve nga rënia e komunizmit jemi të prirë t’i dëgjojmë broçkullat historike të diktuara nga Enver Hoxha dhe Beogradi. Pra, vërehet qartë se intelektualët e sotëm (gjithsesi ka përjashtime) ose, të paktën, ata që na paraqiten vazhdimisht në ekran, kur flasin për të kaluarën, disi e kapërcejnë plotësisht historinë e vërtetë të kombit tonë, e cila kur lexohet me sy kritik, na tregon qartë se Fuqitë e Mëdha, kushdo qofshin ato dhe kurdo qofshin ato, për interesa më madhore të tyre kanë ditur t’i sakrifikojnë popujt e vegjël. Meqë nuk jemi në fund të historisë, por në proces të historisë, a ka të ngjarë të na përsëriten gabimet e së kaluarës dhe ne të shkojmë qorrazi pas atyre që hesapet e veta i kanë para tonave? Si duket, po. /revistashenja

Nga: Ismail SINANI