Shansi i fundit

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)

Që nga fëmijëria i kam urryer hapësirat e ngushta… sepse më zihej fryma… andaj gjithmonë ikja nga ato… gjithnjë me frikë, duke u dridhur nga ngushtësia…

Kur u rrita e kuptova se kjo ishte sëmundje psikike, por nuk kam mundur të shërohem dhe të lirohem nga kjo.
Tani hyra në një vend të ngushtë, por me forcë… pa dëshirën time. Më vendosën në një arkë të ngushtë… por zërat rreth meje i dëgjoja mirë… sytë i kisha të mbyllur, por shikoja… disa bërtitnin.
Oh, ah i mjeri ky… vdiq në moshën e rinisë… kishte shumë shpresa dhe punë të cilat nuk i kishte kryer! Dhe vërtet kisha shumë punë të papërfunduara, si p.sh. nuk arrita t’i hap një lokal tim biri… nuk i kisha paguar këstet e fundit të kredisë për veturë… ndërsa shpresa ime që të formoja një ndërmarrje të madhe ku do të punësoja miqtë e mi ishte një iluzion i largët… nuk kisha blere dru dhe thëngjill për dimër dhe nuk kisha bërë disa meremetime në shtëpi.
Derisa këto mendime silleshin ne kokën time, papritmas një zë e tronditi veshin tim… një zë nga i cili u frikësua shpirti im… ai zë vinte nga thellësia e trurit tim, ku edhe fillonte jehona e tij…
Dëgjohej si të ishte nga megafoni. Fund, koha jote kaloi. Me keqardhje i thashë vetes: Ah, sikur të mos ishte fundi dhe koha mos të kalonte! Nuk di si më ndodhi fatkeqësia… kur unë jam shofer i mirë… dhe derisa po mundohesha të lëviz, ndjeva se miqtë që më rrethonin më mbuluan me çarçaf të bardhë…
U mundova të bërtas me sa fuqi që kisha dhe të ngrihem nga vendi që t’i ndaloj… por, nuk pata sukses… nuk munda të bëj asnjë lëvizje e as të flisja ndonjë fjale.
Nuk kaloi shumë kohë dhe u gjeta në një vend të errët… nëpër vrima shikoja një dritë të zbehtë… me një frikë e cila nuk mund të përshkruhet, thashë me vete: O Zoti im! Çfarë do bëhet me mua? Çfarë të bej? Nga frika as nuk mund të mendoja. Pastaj më bartën në tabut… jashtë binte shi i madh. Më vendosën në gurin e xhenazes para xhamisë. Kur vërejta xhaminë, më ra ndërmend sa afër shtëpisë e kam pasur dhe asnjëherë nuk kisha hyrë në te sepse nuk gjeja kohe… por, me vete thosha gjithmonë, do të vendos të falem kur t’i mbush të pesëdhjetat… ketë e dinte gjithkush.
Edhe miqve u thosha: posa t’i mbush të pesëdhjetat, do t’i lë gjërat e këqija dhe do të falem rregullisht. Po,… po…, ah të mos ndodhte kjo fatkeqësi… do të bëhesha njëri i mirë në të ardhmen.
Edhe për herë të dytë të veshi im arriti zëri i njohur, që nuk e dija nga vinte: Fund, koha jote kaloi! Kaloi pak kohë dhe përsëri më bartën mbi supe… me siguri më kishin falur xhenazen. Kur kalova pranë kafenesë, dëgjova shokët duke qeshur, ata me të cilët lozja çdo ditë me letra… pa dyshim nuk e kishin dëgjuar lajmin e vdekjes sime. Duke më bartur dëgjoja njerëzit, miqtë e mi duke thënë: nuk po ec tregtia… disa të tjerë flisnin për sport… ndërsa te tjerët pëshpëritnin: Shih çfarë dite zgjodhi për të vdekur miku ynë, edhe jetën e ka pasur kësisoj… vërtet është ters, u lagëm prej kokës deri te këmbët.
Mos ndoshta ky është një gabim?… Ndoshta kjo që dëgjoj nuk është e vërtetë… a është e mundur te flasin kështu shokët e mi, për të cilët jam sakrifikuar sa e sa herë?
Arritëm në varreza… më lëshuan ne varr. O Zot, – thashë me vete…. çfarë bej unë këtu? A nuk është ky varr? Perse deri më sot nuk më ra asnjëherë në mend që do të hyj këtu? Përse nuk kam menduar kurrë për këtë?…
Askush nuk i dëgjonte klithmat e mia, askush… si dëshiron Ti… do të jem ashtu që Ti do të jesh i kënaqur me mua dhe këtë varr të ma besh prej kopshteve të xhenetit… o Zot! Ai zë i fuqishëm jehoi përsëri në veshët e mi: Fund, koha jote kaloi!
Dëgjoja zërin e dheut i cili binte mbi dërrasat e varrit… çdo goditje jehonte si bubullimë… tërë trupi im dridhej nga frika dhe pritja.
I dëshpëruar, me lëvizjet e fundit, u mundova të lëviz nga vendi… hapa sytë… isha ne krevat, në spital… pranë meje ishte mjeku i cili mundohej të më zgjonte nga kjo ëndërr e vështirë…
Thoshte: ja tani, kaloi kjo… ishte vërtet makth i rende. U ngrita ngadalë në krevatin tim… tërë trupi im ishte mbuluar me djersë të ftohta… ndërsa jashtë binte shi rrëke, i përcjellë me zërin tronditës të bubullimës. Duke mbledhur veten pëshpërita në vete me zë të heshtur…
O Zot, të falëminderit Ty! Të falënderoj aq sa qeliza ka në trupin tim… që më dhe shansin e fundit që të pendohem sinqerisht, që të bëhem rob i mirë… të falënderoj, o Zoti im!

Prim.dr.med.sc Ali F. Iljazi (r.a)