Shansi i fundit

Haxhi Krasniqi do të zbresë përsëri në ring muajin e ardhshëm. Boksieri kosovar do t’i kryqëzojë dorëzat me ish-kampionin e botës Stanislav Kashtanov në kërkim të titullit të kampionit të Evropës (EBU European Title) në kategorinë super të mesme.

Pa asnjë diskutim, dueli i 2 qershorit për boksierin junikas do të jetë njëri prej më të rëndësishmëve në botë. 31-vjeçari deri tash ka zhvilluar 52 duele, të gjitha në boksin profesionist e duke i fituar 47 prej tyre, ndërkohë që i ka rrëmbyer 7 tituj evropianë dhe internacional. Njëherësh ka luftuar dy herë edhe për titullin e kampionit të botës, ndërsa është përballur shpesh edhe me legjenda të boksit botëror.

Kundërshtari i radhës, rusi Stanislav Kashtanov, në vitin 2013 është bërë kampion WBA i Botës përkohësisht dhe në 38 duelet e tij profesioniste ka dalë 36 herë fitues nga ringu.

Tifozët shqiptarë më 2 qershor i pret një duel i madh në “WeeArena”, Bad Tolz, shumë afër Munichut, ku do të mblidhen mbi 6.000 shikues për ta shijuar një luftë tjetër të madhe të Krasniqit. Sigurisht, pjesa dërrmuese e tyre pritet të jenë shqiptarë, në mbështetje të Krasniqit.

Natyrisht ky i fundit nuk do të ketë punë aspak të lehtë pasi përballë e ka një boksier mjaft të fuqishëm. Madje zëdhënësi Tilmann Meuser thotë se ky mund të jetë shansi i fundit për boksierin kosovar ta realizojë ëndrrën e tij, që është titulli i kampionit të botës.

“Nëse shpallet kampion i Evropës do t’i realizohet ëndrra fëmijërore. Ndërsa nëse e humb meçin, atëherë do të marrë fund karriera e tij”, ka thënë Meuser.

Krasniqi është duke u përgatitur intensivisht për meçin e radhës, i cili do të jetë i dyti për të për këtë vit, pasi të parin e kishte fituar muaj më parë ndaj polakut Bartomiej Grafka.

Fitorja eventuale ndaj Kashtanovit do ta afronte Krasniqin me titullin e kampionit botëror. Ai është i vendosur ta shfrytëzojë mundësinë e tretë që do t’i arrijë pasi është i vetëdijshëm se kjo mund të jetë e fundit për të. Haxhiu shpreson t’i sjellë fat thënia e njohur: “E treta, e vërteta”./zeri.info