Në këtë botë gjithçka duket se përsëritet: dita pason natën, stinët ndjekin njëra-tjetrën… Por në të vërtetë, ka diçka që nuk përsëritet kurrë: jeta e njeriut. Ajo është një udhëtim i vetëm, një shans i vetëm.
Shpesh ne sillemi sikur kemi shumë kohë, sikur mund të kthehemi prapa kur të duam, sikur mund ta rregullojmë gjithçka nesër. Por, jeta nuk funksionon kështu. Allahu i Madhëruar thotë:
“Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen, e vetëm në Ditën e Kiametit do t’ju jepen plotësisht shpërblimet tuaja. Ai që do të largohet nga zjarri dhe do të futet në Xhenet, me të vërtetë ka shpëtuar. Kjo jetë e kësaj bote nuk është gjë tjetër veçse një kënaqësi mashtruese.” (Ali Imran, 185)
Ky ajet na kujton se pas kësaj jete nuk ka provë të dytë. Ajo që kemi në dorë sot është e vetmja mundësi për të ndërtuar të ardhmen tonë të përjetshme.
Ka prej njerëzëve që mendojnë se shansi i tyre është pasuria, fati në tregti, suksesi në punë, një mundësi e rrallë për t’u bërë të famshëm… Por në të vërtetë, shansi i njeriut nuk është asnjë nga këto.
Shansi i artë është që njeriu të njohë Krijuesin e tij dhe të lidhet me Të. Allahu thotë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër veçse që të Më adhurojnë.” (Edh-Dharijat, 56)
Pra, e gjithë jeta është e thurur rreth kësaj: njeriu të njohë Krijuesin, të jetojë me Të dhe për Të. Ky është suksesi i vetëm, i përhershëm.
Sa herë kemi gabuar? Sa herë kemi humbur rrugën? Sa herë kemi harruar se kush jemi? Dhe megjithatë, Allahu nuk na ka mbyllur derën. Pejgamberi a.s., na tregon: “Allahu e pranon pendimin e robit të Tij deri në gargare.” (Tirmidhiu)
Çdo ditë është një shans i ri. Çdo mëngjes është një fletë e bardhë që Zoti na e dhuron. E vetmja gjë që duhet të bëjmë është ta mbushim me të mira, me lutje, me falje, me drejtësi, me dashuri.
Kur njeriu largohet nga kjo botë, ai do ta kuptojë menjëherë se çfarë ka humbur. Por atëherë është vonë. Kur t’i vijë vdekja, thotë Kurani, njeriu do të thotë: “Zoti im, më kthe prapë! Që të bëj vepra të mira në atë që lashë mangu!” (El-Mu’minun, 99-100)
Por nuk ka kthim. Jeta është një biletë e vetme. Dhe tragjedia më e madhe është ta kuptosh vlerën e saj vetëm pasi dera është mbyllur.
Si ta shfrytëzojmë shansin tonë?
• Duke u penduar sinqerisht për të kaluarën.
• Duke i dhënë zemrës ushqim përmes namazit dhe leximit të Kuranit.
• Duke qenë të mirë me njerëzit.
• Duke kujtuar gjithmonë se jeta është e shkurtër dhe se nuk ia vlen të harxhohet në urrejtje e mëkate.
Pejgamberi a.s., ka thënë: “Shfrytëzo pesë gjëra para se të të zënë pesë të tjera: jetën tënde para vdekjes sate, shëndetin tënd para sëmundjes sate, kohën e lirë para angazhimit, rininë para pleqërisë, pasurinë para varfërisë.” (Hakim)
Ky është kujtimi më i bukur që njeriu mund t’i bëjë vetes çdo ditë: a po e shfrytëzoj shansin tim?
Prandaj, njeriu ka vetëm një shans. Dhe ky shans është tani. Sot, jo nesër.
Ndoshta zemra jonë është e lodhur, ndoshta jemi larguar, ndoshta kemi harruar. Por aq sa jemi gjallë, dera është e hapur. Shfrytëzoje shansin tënd! Sepse nuk ka lumturi më të madhe sesa të lidhesh me Krijuesin tënd, dhe nuk ka humbje më të madhe sesa t’i mbyllësh sytë pa e shfrytëzuar këtë mundësi të vetme.
Dr. Zenel Hajdini








