SHBA, 11 agjentë të Shërbimit Sekret me koronavirus

Njëmbëdhjetë agjentë të Shërbimit Sekret të SHBA-së kanë rezultuar pozitivë me koronavirusin e ri (COVID-19), sipas “Yahoo News”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Dokumentet e Departamentit të Sigurisë së Brendshme (DHS) të rishikuara nga faqja e lajmeve tregojnë se 23 anëtarë të kësaj agjencie federale të zbatimit të ligjit janë shëruar nga sëmundja.

Ndërkaq, 60 punonjës janë vetëkarantinuar, thuhet në raportimin e së premtes në “Yahoo News”.

Mbetet e paqartë nëse ndonjëri nga agjentët e infektuar ka pasur kontakt me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, ose nënpresidentin Mike Pence.

Agjencia, e cila vepron nën DHS-në, është gjithashtu përgjegjëse për mbrojtjen e liderëve kombëtarë dhe vizitat e krerëve të shteteve.

Më herët të premten, Trump tha se Katie Miller, zëdhënësja e Pence, si dhe gruaja e ndihmësit të lartë Stephen Miller, kanë rezultuar pozitivë me koronavirusin e ri.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të enjten se një bashkëpunëtor personal i paidentifikuar i cili punon afër presidentit Trump gjithashtu ka rezultuar pozitiv.

Trump tha se ai “kishte shumë pak kontakte me këtë person”, duke përmendur se ai është testuar dy herë që nga e mërkura dhe rezultatet kanë qenë negative.

Bashkëpuntorët në fjalë, ku bën pjesë zyrtari i infektuar, janë anëtarë të një njësie ushtarake elitare dhe shpesh punojnë shumë afër presidentit dhe familjes së parë.

Trump bëri testin e tij të parë në mars dhe tjetrin në prill, dhe që të dy rezultuan negativë. Megjithatë, lajmet e fundit zbulojnë se ai është në rrezik të ekspozohet ndaj virusit, i cili ka infektuar më shumë se 1,2 milion njerëz në mbarë vendin.

Më shumë se 77.000 të infektuar kanë vdekur nga virusi në SHBA, i cili mbetet vendi më i goditur nga pandemia, sipas Universitetit Johns Hopkins.