SHBA, arrihet marrëveshje për rritjen e kufirit të borxhit

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy arritën marrëveshje në parim për rritjen e kufirit të borxhit, transmeton Anadolu.

Biden tha se marrëveshja mbron prioritetet e tij dhe ato të demokratëve në Kongres dhe është “një hap i rëndësishëm përpara që shkurton shpenzimet duke mbrojtur programet kryesore për punëtorët dhe rritjen ekonomike”.

“Marrëveshja përbën një kompromis, që do të thotë se jo të gjithë marrin atë që duan. Kjo është përgjegjësi e qeverisë”, tha Biden. Ai theksoi se kjo marrëveshje është një lajm i mirë për popullin amerikan, sepse parandalon atë që mund të ishte një recesion ekonomik katastrofik, duke rrezikuar fondet e pensioneve dhe duke humbur miliona vende pune.

Shtëpia e Bardhë dhe ekipet e Kongresit do të finalizojnë marrëveshjen përpara votimit në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat, që pritet të ndodh javën e ardhshme. “Kjo është marrëveshje e denjë për popullin amerikan”, tha McCarthy, duke shtuar se sipas marrëveshjes, nuk do të rriten taksat.

Marrëveshja erdhi pasi Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen tha se SHBA-së do t’i mbarojnë paratë për të paguar detyrimet e saj financiare deri më 5 qershor.