SHBA do të dërgojë pjesën më të madhe të 300 milionë dollarëve ndihmë ushtarake Egjiptit

Administrata e presidentit amerikan Joe Biden njoftoi se sërish do t’i jepte Egjiptit pjesën më të madhe të transhës prej 300 milionë dollarëve të ndihmës vjetore ushtarake që kushtëzohet me përmirësimin e të drejtave të njeriut, me sqarimin se aleati i SHBA-së ka bërë përparim në lirimin e rreth 500 nga rreth 60 mijë të burgosurve politikë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zyrtarë të lartë amerikanë, të cilët nuk dëshironin të identifikoheshin, theksuan se Sekretari i Shtetit, Antony Blinken ka ndërmarrë hapa për lirimin e ndihmës së pezulluar.

Theksohet se sikur edhe vitin e kaluar, Blinken do të mbajë 130 milionë dollarë ndihmë për Egjiptin, por do të sigurojë 170 milionë dollarë.

Si arsye për ndihmën theksohet përparimi mbi “gjendjen e keqe” të të burgosurve politikë dhe të drejtat e njeriut nga qeveria e Abdel Fattah el-Sisi në Egjipt, e cila thuhet se ka liruar rreth 500 nga 60 mijë të burgosurit politikë.

Anëtari i Komitetit për punë të jashtme i Senatit të SHBA-së, Chris Murphy bëri thirrje për mbajtjen e të gjitha 300 milionë dollarëve të ofruara nga SHBA-ja, duke përmendur kushtet e këqija dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në burgjet egjiptiane.

Qeveria e Sisit, e cila erdhi në pushtet me grusht shteti ushtarak në vitin 2013, vazhdon me presionin ndaj opozitës.

Derisa organizatat e të drejtave të njeriut dokumentojnë se disidentët janë arrestuar dhe u janë nënshtruar torturave të rënda, qeveria e Sisit mohon ekzistencën e të burgosurve politikë në vend.

Gjatë fushatës zgjedhore, presidenti i SHBA-së, Biden premtoi se do t’i vendoste çështjet e të drejtave të njeriut në qendër të politikës së jashtme të SHBA-së.

Washingtoni i kanë siguruar Egjiptit miliarda dollarë ndihmë ushtarake që nga viti 1978.