Ballina Lajmet Rajon dhe Botë SHBA-ja godet 140 objektiva ushtarake në Iran

SHBA-ja godet 140 objektiva ushtarake në Iran

Paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme vazhdoi edhe të dielën, ndërsa ushtria amerikane ndërmori sulme të reja ndaj Iranit pas një sulmi ndaj një anijeje në Ngushticën e Hormuzit.

Forcat amerikane thanë se goditën rreth 140 objektiva ushtarake iraniane në valën e tretë të sulmeve gjatë kësaj jave, periudhë gjatë së cilës të dyja palët shkëmbyen sulme, raporton CNN.

Probleme në Ngushticën e Hormuzit

CENTCOM deklaroi se Garda Revolucionare Islamike e Iranit “sulmoi haptazi” një anije me kontejnerë me flamur të Qipros që po kalonte nëpër ngushticë.

Por më vonë ekuipazhi i cili u raportua se ishte dëmtuar pranë Ngushticës së Hormuzit, është shpëtuar pasi u detyrua ta braktiste anijen, njoftoi UK Maritime Trade Operations (UKMTO).

UKMTO kishte raportuar se në anije kishte shpërthyer zjarr pasi pjesa e pasme e saj ishte dëmtuar ndërsa po lundronte në lindje të Omanit.

Kjo ndodhi pasi Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) deklaroi se kishte qëlluar me një të shtënë paralajmëruese ndaj një anijeje që po përpiqej të kalonte Ngushticën e Hormuzit përmes një rruge të paautorizuar dhe njoftoi se rruga detare ishte mbyllur.

Pas deklaratës së CENTCOM-it, mediat shtetërore iraniane raportuan shpërthime në jug të vendit, kryesisht përgjatë zonave bregdetare pranë Ngushticës së Hormuzit. Shpërthime u dëgjuan në: Provincën Bushehr, ku ndodhet një central bërthamor në periferi të qytetit Bushehr; Ishullin Qeshm, që konsiderohet pjesë e sistemit mbrojtës të Iranit pranë Ngushticës së Hormuzit dhe Bandar Abbas, një qytet-port përballë Ngushticës së Hormuzit.

Ndërkohë, edhe disa vende të tjera në Lindjen e Mesme u përballën me kërcënime ose sulme.

Ndërmjetësuesit kanë bërë përpjekje për të rikthyer diplomacinë mes SHBA-së dhe Iranit pasi të dyja palët shkëmbyen sulme më herët gjatë javës dhe presidenti Donald Trump deklaroi se armëpushimi kishte “marrë fund”.

Takimet e së shtunës mes ministrit të Jashtëm të Iranit, Abbas Araghchi, dhe homologut të tij nga Omani u përqendruan kryesisht te Ngushtica e Hormuzit. Sipas një burimi të CNN-it, Omani ka hartuar një propozim paraprak për menaxhimin e trafikut detar në këtë ngushticë.

Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se bisedimet me Teheranin nuk mund të përparojnë derisa të garantohet kalimi i sigurt i anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit. /koha