SHBA-ja planifikon furnizimin e Ukrainës me HAWK

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë dërgimin e pajisjeve më të vjetra të mbrojtjes ajrore HAWK Ukrainës për ta ndihmuar në luftën kundër sulmeve ruse me dronë dhe raketa kruzë, kanë konfirmuar dy zyrtarë të lartë amerikanë për Reuters.

Raketat interceptuese HAWK do të ishin një avancim i madh krahasuar me furnizimin e deritanishëm me sisteme raketore Stinger – sistem më i vogël, me rreze më të shkurtra veprimi i mbrojtjes ajrore – që SHBA-ja tashmë ia ka dërguar Ushtrisë ukrainase për të neutralizuar pushtimin rus.

Administrata e Joe Bidenit do të përdorte autoritetin presidencial për të transferuar sistemin HAWK, që bazohet në teknologji të kohës së luftës së Vietnamit, por që është avancuar disa herë. Kompetenca presidenciale ia lejon Bidenit të transferojë pajisje dhe shërbime të mbrojtjes ajrore pa marrë aprovim nga Kongresi në rrethana që konsiderohen të jashtëzakonshme.

Reutersi nuk ia ka dalë të mësojë se sa sisteme dhe raketa HAWK do të transferohen. Shtëpia e Bardhë ka refuzuar të komentojë.

Sistemi HAWK është paraardhës i sistemit të mbrojtjes raketore Patriot të prodhuar nga “Raytheon Technologies”, që nuk është shqyrtuar si mundësi për dërgim Ukrainës, kanë thënë zyrtarët për agjencinë e lajmeve, Reuters.

Presidenti Joe Biden i është zotuar homologut ukrainas se Washingtoni do të ofrojë sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore pas një serie shkatërruese sulmesh raketore ditë më parë nga Rusia.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Spanja synon t’i dërgojë Ukrainës katër lansues HAWK.

Shtetet e Bashkuara do të dërgonin fillimisht sistemin për interceptim raketor HAWK, por pritet të shihet nëse lansuesit janë në gjendje të mirë, ka deklaruar një zyrtar amerikan. Sistemet amerikane ka dekada që po ruhen në depo ushtarake.

Në Zagreb ndërkaq folësit dhe deputetët nga 40 shtete janë mbledhur për të dënuar luftën e Rusisë në Ukrainë. Platforma e Krimesë, samit parlamentar që bën bashkë deputetë të vendeve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, po mundohen t’i japë fund aneksimit të Krimesë nga Rusia më 2014 dhe të rajoneve të pushtuara të Ukrainës.

Nën organizimin e parlamenteve kroate dhe ukrainase, samitit iu adresua edhe presidenti Volodimyr Zelenskyy, i cili ka kërkuar ndihmën perëndimore, dhe kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi. Ajo ka dënuar fushatën e mëtejshme të tmerrit që po shënjestron edhe civilët. /koha