Ballina Lajmet Rajon dhe Botë SHBA-ja vendos 25 për qind tarifa për importet nga Brazili

SHBA-ja vendos 25 për qind tarifa për importet nga Brazili

SHBA-ja ka vendosur 25 për qind tarifa për disa importe nga Brazili, pas një hetimi që arriti në përfundimin se vendi i Amerikës së Jugut ishte përfshirë në praktika tregtare “të padrejta” në fushën e tregtisë digjitale, pagesave elektronike dhe sektorëve të tjerë, transmeton Anadolu.

Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së (USTR) tha se masa u ndërmor pas një hetimi 1-vjeçar sipas Nenit 301 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974, i cili i jep SHBA-së të drejtën të hetojë dhe t’u përgjigjet praktikave të qeverive të huaja që konsiderohen “të paarsyeshme, të pajustifikueshme ose diskriminuese” dhe që dëmtojnë tregtinë amerikane.

“Negociatat e gjera me Brazilin gjatë vitit të kaluar nuk i kanë zgjidhur këto çështje, por ne mbetemi të hapur për të vazhduar bisedimet me Brazilin, në mënyrë që të arrihen ndryshimet e nevojshme për problemet e identifikuara në këtë hetim”, tha përfaqësuesi i tregtisë i SHBA-së, Jamieson Greer.

Një zyrtar i lartë i administratës u tha gazetarëve në kushte anonimiteti se hetimi zbuloi se gjykatat braziliane kishin ndërmarrë masa ndaj kompanive amerikane të teknologjisë që “përbëjnë pengesë të padrejtë tregtare”.

“Për shembull, gjykatat braziliane kanë nxjerrë urdhra sekret që u kërkojnë kompanive amerikane të teknologjisë të heqin përmbajtje të caktuara politike, të pezullojnë llogari të qytetarëve të tyre dhe t’u ndalojnë platformave të bëjnë publike këto urdhra”, tha zyrtari.

Ai shtoi se hetimi gjithashtu zbuloi se “Brazili ka diskriminuar në mënyrë të padrejtë ofruesit amerikanë të shërbimeve të pagesave elektronike, duke favorizuar sistemin e pagesave ‘Pix’ të operuar nga banka qendrore e Brazilit”.

Po ashtu, zyrtari akuzoi Brazilin se u ka dhënë trajtim preferencial tarifor Indisë dhe Meksikës, ndërsa nuk u ka ofruar qasje të ngjashme eksportuesve amerikanë. Si pjesë e masës, administrata përjashtoi nga tarifat disa produkte, përfshirë portokallet dhe lëngun e portokallit, disa produkte energjetike si dhe pjesë dhe komponentë të industrisë së aviacionit.

Hetimi sipas Nenit 301, i nisur vitin e kaluar me urdhër të presidentit amerikan Donald Trump, gjithashtu shqyrtoi politikat e Brazilit lidhur me zbatimin e masave kundër korrupsionit, mbrojtjen e pronësisë intelektuale, qasjen në tregun e etanolit dhe shpyllëzimin e paligjshëm.