Ballina Lajmet Rajon dhe Botë SHBA “nuk mund të garantojë” sigurinë e civilëve brenda ose pranë objekteve...

SHBA “nuk mund të garantojë” sigurinë e civilëve brenda ose pranë objekteve që Irani përdor për qëllime ushtarake

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka deklaruar se “nuk mund të garantojë” sigurinë e civilëve brenda ose pranë objekteve që Irani përdor për qëllime ushtarake, duke paralajmëruar se vende të tilla mund të bëhen “objektiva të ligjshme ushtarake sipas të drejtës ndërkombëtare”, transmeton Anadolu.

CENTCOM në rrjetin social amerikan tha se autoritetet iraniane po “përdorin zona civile të dendura me popullatë për të kryer operacione ushtarake, përfshirë lëshimin e dronëve sulmues 1-drejtimësh dhe raketave balistike” nga qytete si Dezful, Isfahan dhe Shiraz.

Komanda amerikane tha se kjo praktikë “rrezikon jetën e të gjithë civilëve në Iran”, sepse vendet që përdoren “për qëllime ushtarake humbasin statusin e mbrojtjes dhe mund të bëhen objektiva të ligjshme ushtarake sipas të drejtës ndërkombëtare”.

CENTCOM lëshoi një “paralajmërim sigurie për civilët në Iran” dhe u bëri thirrje atyre të qëndrojnë në shtëpi, duke paralajmëruar se autoritetet iraniane “po rrezikojnë me vetëdije jetët e njerëzve të pafajshëm”.

“Forcat iraniane po rrezikojnë sigurinë e njerëzve të pafajshëm në të gjithë Lindjen e Mesme duke shënjestruar qëllimisht dhe në mënyrë të pakontrolluar aeroporte civile, hotele dhe lagje banimi”, thuhet në deklaratë.

Deklarata citoi gjithashtu komandantin e CENTCOM, Brad Cooper, i cili tha se “regjimi terrorist i Iranit po shpërfill hapur jetët e civilëve duke sulmuar partnerët e Gjirit, ndërsa komprometon sigurinë e popullit të vet”.

Sipas deklaratës, Irani ka lëshuar qindra raketa balistike dhe mijëra dronë sulmues 1-drejtimësh që nga 28 shkurti. Megjithatë, ritmi i lëshimeve ka rënë ndjeshëm, pasi forcat amerikane dhe aleate po shkatërrojnë kapacitetet ushtarake të Iranit.

CENTCOM tha se forcat amerikane “marrin çdo masë të mundshme për të minimizuar dëmin ndaj civilëve”, por nuk mund të garantojnë sigurinë e civilëve brenda ose pranë objekteve që regjimi iranian përdor për qëllime ushtarake.

“Ndryshe nga regjimi iranian, forcat amerikane nuk shënjestrojnë dhe nuk rrezikojnë qëllimisht sigurinë e civilëve”, thuhet në deklaratë.

Përshkallëzimi rajonal u intensifikua pasi Izraeli dhe SHBA nisën një sulm të përbashkët kundër Iranit më 28 shkurt, duke vrarë më shumë se 1.200 persona, përfshirë liderin suprem Ali Khamenei, si dhe duke plagosur mbi 10 mijë të tjerë.

Teherani u kundërpërgjigj me sulme me raketa dhe dronë, duke shënjestruar Izraelin, Irakun, Jordaninë dhe vendet e Gjirit ku ndodhen asetet ushtarake amerikane.