Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar një paralajmërim diplomatik Ukrainës pas një sulmi ndaj Konsorciumit të Tubacionit të Kaspikut, pranë qytetit rus Novorossiysk.
Lajmin e bëri të ditur ambasadorja e Ukrainës në SHBA, Olga Stefanishyna, gjatë një konference për media në Uashington. Ajo tha se SHBA i ka përcjellë Kievit një protestë zyrtare diplomatike, e njohur si “demarsh”.
“Shteti amerikan na bëri të ditur se duhet të përmbahemi nga sulmet ndaj interesave amerikane”, deklaroi ajo.
Sipas ambasadores, pala amerikane njoftoi se sulmi kishte prekur investime të SHBA-së të lidhura me infrastrukturën e eksportit në rajonin e Detit të Zi.
Megjithatë, ajo theksoi se Uashingtoni nuk ka kërkuar ndalimin e përgjithshëm të sulmeve ndaj infrastrukturës ushtarake apo energjetike ruse, por ka shprehur shqetësim vetëm në rastet kur preken drejtpërdrejt interesat amerikane. /mesazhi






