Ballina Lajmet SHBA, protesta kundër politikës së Trumpit ndaj emigrantëve

SHBA, protesta kundër politikës së Trumpit ndaj emigrantëve

Qindra mijëra persona në SHBA protestuan kundër administratës së presidentit Donald Trump për shkak të politikës së diskutueshme për emigrantët, e cila ndan fëmijët nga familjet e tyre, të cilët kanë hyrë në vend nëpërmjet rrugëve ilegale, raporton Anadolu Agency (AA).

Në gjithë vendin dje u organizuan më shumë se 600 protesta kundër politikës ndaj emigrantëve të presidentit amerikan Trump, sipas së cilës fëmijët ndahen nga familjet e tyre emigrante.

Mijëra protestues në New York, që njihet si vendlindja e Trumpit dhe “kalaja” e Demokratëve, marshuan në urën Brooklyn.

Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime “Mos i ndani familjet”, “Donald Trump duhet të shkojë”, “Zotëri president pse kur e doni ushqimin meksikan nuk i doni meksikanët? Mos i ndani familjet”, “Nuk ka vend për urrejtje dhe frikë, mirë se erdhët emigrantët”.

Protestuesit, të cilët brohoritën slogane kundër Trumpit, u mbështetën edhe me sirena të automjeteve.

Ndërkaq edhe në Washington protestuesit marshuan nga hoteli “Trump”, ku brohoritën slogane “Të vie turp”, “Nuk është presidenti im”.

– Familjet morën pjesë me fëmijët e tyre të vegjël në protestë

Ndërkaq shihej se familjet kishin marrë pjesë në protestë së bashku me fëmijët e tyre të vegjël.

Kuratori i teatrit të suksesshëm muzikal “Hamilton”, Lin Manuel Miranda mori pjesë në protestë ku këndoi ninulla. Ndërsa këngëtarja e njohur amerikane Alicia Keys, e cila ishte e pranishme në protestë së bashku me vajzën e saj 7 vjeçare, lexoi një letër të shkruar nga një nënë, fëmija i së cilës i është marrë.

Edhe fëmijët e vegjël mbanin pankarta me mbishkrime “Fëmijët nuk duhet të vendosen nëpër kafazë”.

Pas reagimeve nga i gjithë vendi dhe opinioni publik ndërkombëtar, Trump nënshkroi dekretin i cili i jep fund ndarjes së fëmijëve nga prindërit e tyre të cilët kanë hyrë në SHBA-të nëpërmjet rrugëve ilegale. Mirëpo, ende më shumë se 2.000 fëmijë mbahen të ndarë nga familjet e tyre.