SHBA, së paku pesë të vdekur nga uragani Harvey

Uragani Harvey, i cili goditi shtetin federal të Teksasit, ka shkaktuar të paktën pesë të vdekur, raporton Anadolu Agency (AA).

Harvey është uragani më i fuqishëm që ka goditur Teksasin që nga viti 1961, kurse reshjet e dendura dhe përmbytjet kanë shkaktuar fatkeqësi natyrore në Hjuston. Në qytetin me 2.3 milion banorë, rrugët janë përmbytur dhe pothuajse janë kthyer në lumenj.

Në Qarkun County që i përket Hjustonit, janë evakuuar pacientët nga spitali shtetëror për shkak të një defekti të gjeneratorit të shkaktuar nga përmbytjet.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, tha se gjithsej 250 autostrada u mbyllën në shtetin federal dhe në 19 qytete është shpallur gjendje e jashtëzakonshme.

Ekziston mundësia që numri i të vdekurve të jetë më i madh në Rockport, që numëron 10,000 banorë dhe i cili u godit i pari nga uragani.

Meteorologët paralajmërojnë se ndikimi i uraganit në juglindje të Teksasit do të jetë i pranishëm deri të mërkurën.

Në shumë pjesë të këtij shtetit federal janë shkaktuar dëme materiale dhe një numër shtëpish janë shkatërruar plotësisht, ndërsa disa të tjera kanë mbetur pa çati.

Zyrtarët e Departamentit Meteorologjik të SHBA-së (NWS) iu bënë thirrje banorëve të Hjustonit që të mos largohen nga shtëpitë e tyre.

Kryebashkiaku Sylvester Turner u bëri thirrje qytetarëve të mos i thërrasin ekipet e shpëtimit nëse nuk janë në një situatë kërcënuese për jetën.

Pritet që presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, të vizitojë zonën e prekur të martën.