SHBA thirrje Indisë për heqjen e kufizimeve në Kashmir

SHBA ka kërkuar nga India që të kalojë në veprim për heqjen e kufizimeve në Xhamu Kashmir, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të “Bloomberg”, ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit, përgjegjëse për çështjet e Azisë Jugore dhe Qendrore, Alice Wells në një deklaratë për gazetarët në New York ku zhvillohen bisedimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, tha se India duhet të kalojë në veprim për heqjen e kufizimeve gjithëpërfshirëse dhe të masave të sigurisë që kufizojnë jetën e përditshme në Xhamu Kashmir.

Wells shprehu shqetësimet e thella të SHBA-ve lidhur me arrestimet në Xhamu Kashmir. “Shpresojmë që të shohim kalimin në veprim në mënyrë të shpejtë për heqjen e kufizimeve dhe lirimin e të arrestuarve”, shtoi ajo.

Më tej ajo tha se presidenti amerikan Donald Trump është i gatshëm të ndërmjetësojë nëse dëshirojnë të dyja palët (India dhe Pakistani).

Trump i cili u takua në New York me kryeministrin indian Narendra Modi dhe kryeministrin pakistanez Imran Khan, ka deklaruar më parë se u ka propozuar pajtim ose ndërmjetësim Pakistanit dhe Indisë në çështjen e Kashmirit.