Kreu i Institutit të Virologjisë në qytetin kinez Wuhan ka hedhur poshtë pretendimet e SHBA-ve se koronavirusi mund ta kishte origjinën në laboratorin e tij.
“Nuk ka asnjë mënyrë që ky virus të ketë dalë nga ne,” tha Yuan Zhiming në një intervistë për televizionin shtetëror.
“Ne e dimë qartë se çfarë studime të viruseve po zhvillohen në institut dhe se si instituti i menaxhon viruset dhe mostrat”.
Ai shtoi se nuk ka të dhëna që ofrojnë prova për të treguar nëse virusi ka gjurmë artificiale ose sintetike.
Drejtori tha se e kupton përse njerëzit ishin të shpejtë të arrinin në konkludime lidhur me institutin në Wuhan, qyteti ku kishte origjinën pandemia.
“Por është keq kur disa përpiqen qëllimshëm t’i keqinformojnë njerëzit”, tha Zhiming.
Më parë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, paralajmëroi Kinën se do të përballet me pasoja nëse vërtetohet se qëllimisht është përgjegjëse për përhapjen e koronavirusit të ri në botë.





