Kreu i OKB-së përsëriti sot shqetësimin e thellë për mosrespektimin e së drejtës ndërkombëtare pas veprimit të fundit ushtarak të SHBA-së kundër Venezuelës, që çoi në kapjen e presidentit të vendit, Nicolas Maduro, transmeton Anadolu.
Duke përcjellë një mesazh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, në një seancë të jashtëzakonshme për Venezuelën, nënsekretarja e përgjithshme Rosemary DiCarlo tha:
“Unë kam theksuar vazhdimisht domosdoshmërinë e respektimit të plotë, nga të gjithë, të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Kartën e Kombeve të Bashkuara, e cila përbën themelin për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”.
“Unë mbetem thellësisht i shqetësuar që rregullat e së drejtës ndërkombëtare nuk janë respektuar në lidhje me veprimin ushtarak të 3 janarit”, ka thënë Guterres në deklaratë.
Shefi i OKB-së ka theksuar se Karta e Kombeve të Bashkuara “sanksionon ndalimin e kërcënimit ose përdorimit të forcës kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të çdo shteti”, duke shtuar se respektimi i Kartës është thelbësor për stabilitetin global.
“Ruajtja e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare varet nga angazhimi i vazhdueshëm i të gjitha shteteve anëtare për t’iu përmbajtur të gjitha dispozitave të Kartës”, ka thënë Guterres.
Duke theksuar nevojën për të mbrojtur parimet themelore në mes të krizës aktuale, në deklaratën e Guterresit thuhet se “në situata kaq të paqarta dhe komplekse si ajo me të cilën po përballemi tani, është e rëndësishme t’u përmbahemi parimeve”.
“Respektim i Kartës së OKB-së dhe gjithë kuadrit tjetër ligjor që mbron paqen dhe sigurinë. Respektim i parimeve të sovranitetit, pavarësisë politike dhe integritetit territorial të shteteve”, ka thënë ai, duke bërë thirrje që “fuqia e ligjit” të mbizotërojë.
“E drejta ndërkombëtare përmban mjete për të adresuar çështje si trafiku i paligjshëm i narkotikëve, mosmarrëveshjet mbi burimet dhe shqetësimet për të drejtat e njeriut”, ka shtuar ai.
Seanca e jashtëzakonshme u zhvillua pas kërkesës zyrtare të misionit të përhershëm të Venezuelës, të dërguar më 3 janar, me mbështetjen e Kinës dhe Rusisë.







