Shefi i ri i dizajnit të Audi vjen nga Land Rover

Pasi kaloi 10 vite në krye të dizajnit të Audi, Marc Lichte po largohet për të marrë një rol të ri brenda kompanisë.

Duke filluar nga 1 qershori i vitit 2024, arkitekti i Land Rover Defender, Discovery, Velar, dhe Range Rover, Massimo Frascella, do të jetë shefi i ri i dizajnit të produkteve nga Audi, duke përfshirë edhe modelet e ardhshme elektrike.

Audi do të prezantojë modele elektrike duke filluar që nga viti 2026, transmeton Telegrafi.

Por, bëhet e ditur se Massimo Frascella do të përqendrohet kryesisht te modelet me emetim zero të karbonit. Gjithashtu, shefi i ri synon të dizajnojë vetura që “nuk ndjekin trendet”.

CEO i kompanisë, Gernot Döllner është i bindur se Frascella mund të krijojë “një gjuhë të pagabueshme dhe emocionale të projektimit të veturave”.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse dizajneri i ri do të lërë gjurmë në automjetet e prodhuara në të ardhmen.

Sido që të jetë, italiani i cili më parë ka punuar për Bertone, Ford, dhe Kia, thotë se favorizon “thjeshtësinë” e modeleve, dhe do të përqëndrohet në krijimin e tyre.