Shefi i të drejtave të njeriut në OKB shpreh shqetësim për urinë e “papranueshme” në Gaza

Komisari i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk, ka dënuar urinë e vazhdueshme në Rripin e Gazës, duke e quajtur atë “një fyerje ndaj njerëzimit tonë kolektiv”, transmeton Anadolu.

Turk në një deklaratë përsëriti shqetësimin e tij për urinë e civilëve dhe trajtimin e pengjeve në Gaza.

“Imazhet e njerëzve që vuajnë urinë në Gaza janë zemërthyese dhe të papranueshme. Arritja në këtë fazë është një fyerje ndaj njerëzimit tonë kolektiv”, tha ai.

Turk theksoi se kjo shërben si një kujtesë tjetër që dhuna duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë, duke shtuar se “shpëtimi i jetëve duhet të jetë prioritet i të gjithëve”.

Duke theksuar se Izraeli vazhdon të kufizojë rëndë ndihmën humanitare që të hyjë në Gaza, shefi i të drejtave i OKB-së kërkoi nga Izraeli që menjëherë të lejojë dhe të mundësojë kalimin e shpejtë dhe të pakufizuar të sasisë së mjaftueshme të ndihmave humanitare për civilët.

“Refuzimi i qasjes së civilëve në ushqim mund të përbëjë një krim lufte, si dhe potencialisht një krim kundër njerëzimit”, paralajmëroi Turk.

Duke iu referuar pengjeve të mbajtura nga Hamasi, ai tha se duhet t’u lejohet menjëherë ndihmë nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

“Kam përsëritur, herë pas here, se pengjet dhe të gjithë ata të arrestuar në mënyrë arbitrare duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte”, shtoi Turk.

Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite vazhdon me ofensivën brutale në Gaza që nga 7 tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 61 mijë palestinezë, pothuajse gjysma e tyre gra dhe fëmijë. Fushata ushtarake e Izraelit ka shkatërruar enklavën dhe e ka çuar atë në prag të urisë.