Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka hedhur poshtë pretendimin e Kremlinit se Ukraina kohët e fundit shënjestroi objektet kryesore qeveritare në Rusi, duke e quajtur atë një “shpërqendrim të qëllimshëm”, transmeton Anadolu.
“Askush nuk duhet të pranojë pretendime të pabaza nga agresori i cili ka shënjestruar pa dallim infrastrukturën dhe civilët e Ukrainës që nga fillimi i luftës”, shkroi Kallas në platformën sociale të kompanisë amerikane X.
Ajo argumentoi se Moska kërkon të “nxjerrë nga binarët progresin real drejt paqes nga Ukraina dhe partnerët e saj perëndimor”.
Sot, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë publikoi imazhe të një mjeti ajror pa pilot që tha se u rrëzua gjatë një sulmi në rezidencën zyrtare të presidentit rus, Vladimir Putin, në rajonin veriperëndimor Novgorod.
Ministria ruse tha se droni ishte një nga disa të kapur dy ditë më parë gjatë një sulmi të synuar në kompleksin presidencial.
Pamjet duket se tregojnë rrënojat e mjetit fluturues, megjithëse zyrtarët nuk dhanë detaje specifike mbi origjinën e dronit apo shkallën e sulmit.




