Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen i mbijetoi sot një mocioni mosbesimi të paraqitur nga ligjvënësit e ekstremit të djathtë mbi marrëveshjen tregtare të BE-së me bllokun Mercosur të Amerikës së Jugut, transmeton Anadolu.
Mocioni, i paraqitur gjatë seancës plenare në Strasburg, nuk arriti të siguronte shumicën prej dy të tretash të kërkuara për t’u miratuar, duke mos arritur minimumin prej 361 votash pro. Mocioni i mosbesimit u paraqit më 14 janar nga grupi “Patriotët për Evropën”, grupi i tretë më i madh politik në Parlamentin Evropian.
Grupi akuzoi Komisionin Evropian se “ka anashkaluar” si Parlamentin Evropian ashtu edhe parlamentet kombëtare në përfundimin e marrëveshjes tregtare të Mercosur dhe se ka injoruar shqetësimet e miliona fermerëve evropianë.
Mocioni i ekstremit të djathtë pa 390 eurodeputetë të votonin kundër tij, 165 në mbështetje dhe 10 abstenuan.
Kjo shënoi herën e katërt që Von der Leyen është përballur me një përpjekje mosbesimi që kur mori detyrën për herë të dytë. Ajo më parë i mbijetoi mocioneve të ngjashme në lidhje me situatën në Rripin e Gazës dhe politikën tregtare të BE-së në korrik dhe tetor 2025.
Sipas marrëveshjes, tarifat për një gamë produktesh bujqësore, përfshirë mishin e viçit, shpendët, qumështin, sheqerin dhe etanolin do të ulen për vendet e Mercosur-it, përkatësisht Argjentinën, Brazilin, Paraguain dhe Uruguain ndërsa sektorët industrialë evropianë do të fitojnë akses më të gjerë në tregjet e Amerikës së Jugut.
Marrëveshja u nënshkrua më 17 janar në Paraguai, pas më shumë se dy dekadash negociatash. Miratimi i saj u vonua në dhjetor për shkak të protestave të gjera të fermerëve dhe kundërshtimit nga disa shtete anëtare, përfshirë Francën, Irlandën, Hungarinë dhe Poloninë.
Të mërkurën, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë duke i kërkuar Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED) të lëshojë një mendim ligjor nëse marrëveshja e Mercosur-it është në përputhje me traktatet e BE-së.




