Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje për përshpejtimin e miratimeve industriale dhe reformave rregullatore, duke paralajmëruar se vonesat në dhënien e lejeve dhe në projektet energjetike rrezikojnë konkurrueshmërinë e Evropës në ekonominë globale, transmeton Anadolu.
“Në një garë globale, vonesa do të thotë investime të humbura. Sot, mund të duhet më shumë kohë për të marrë leje për një fabrikë të re sesa për ta ndërtuar atë. Projektet energjetike mund të presin me vite për miratime, edhe kur financimi është gati. Kjo duhet të ndryshojë dhe ne kemi filluar ta ndryshojmë”, tha von der Leyen gjatë fjalës së saj në Samitin Evropian të Industrisë në Belgjikë.
Paketa e Energjisë me Erë e Komisionit Evropian, për shembull, theksoi ajo, synon të ulë kohën e dhënies së lejeve me dy të tretat, ndërsa lidhjet më të shpejta me rrjetin energjetik po prioritizohen për të zgjidhur pengesat kritike për industrinë evropiane.
Ajo theksoi nevojën më të gjerë për thjeshtimin e operacioneve të biznesit në gjithë BE-në.
“Kemi vendosur objektivin për të ulur barrën burokratike në këtë mandat me 37 miliardë euro, që përfaqëson 25 për qind në nivel evropian. Dhjetë paketa omnibus janë në proces, me vlerë 15 miliardë euro në ulje të burokracisë. Deri këtu mirë, por nuk jam e kënaqur me shpejtësinë e tyre”, tha ajo.
“Nga dhjetë paketat omnibus që propozuam vitin e kaluar, vetëm tri kanë arritur në destinacion. Për shtatë të tjerat, mbështetemi te Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare që të ndajnë të njëjtin sens urgjence”, shtoi ajo.
Von der Leyen gjithashtu kritikoi fenomenin e ashtuquajtur “gold-plating”, shtresat shtesë të legjislacionit kombëtar që krijojnë barriera brenda tregut të përbashkët. Ajo përmendi shembuj, përfshirë kufijtë e ndryshëm të peshës për kamionët midis Belgjikës dhe Francës, si dhe procedurat joefikase për transportin e mbetjeve përtej kufijve.
“Barrierat brenda Evropës na dëmtojnë më shumë sesa tarifat nga jashtë. Prandaj duhet të përfundojmë tregun e përbashkët nëse Evropa dëshiron të mbetet konkurruese në një botë gjigantësh”, tha ajo.
Ajo njoftoi një propozim të ri që synon krijimin e një strukture të unifikuar të kompanive evropiane për të thjeshtuar operacionet ndërkufitare, për të përshpejtuar regjistrimin e bizneseve dhe për të lehtësuar qasjen në financim për start-up-et dhe kompanitë në rritje.
Von der Leyen theksoi gjithashtu rëndësinë e përmirësimit të qasjes në kapital, duke paraqitur plane për një treg kapitali evropian më të thellë dhe më likuid, i cili mund të zhbllokojë deri në 470 miliardë euro investime në kuadër të “unionit të kursimeve dhe investimeve”.
Ky union synon të lidhë kursimet e qytetarëve të BE-së me investime produktive.
“Synojmë ta realizojmë këtë me të 27 shtetet, por nëse kjo nuk është e mundur, në fund të këtij viti do të propozoj të ecim përpara me ata që duan të përshpejtojnë dhe forcojnë bashkëpunimin. Për këtë nevojiten të paktën nëntë shtete anëtare,” shtoi ajo.

