PËRBËRËSIT PËR TAVË ME DIAMETËR 26 CM:
Si masë përdorim një gotë që merr 200 ml ujë
• 3 vezë të vogla ose 2 të mëdha
• 1 gotë sheqer jo plot (2-3 gisht poshtë buzës së gotës)
• 100 g gjalpë i tretur, i vakët
• 3 lugë të mëdha mjaltë
• 300 g arra të qëruara në thërrime (të peshuara pa lëvozhgë)
• 1 bustinë sodë për ëmbëlsira (16 g)
• 1 bustinë vanilje
• 1 majë thike kripë
• 3 gota miell
• 1 e verdhë veze për ta lyer sipër
PËR SHERBETIN:
• 800 g sheqer
• 600 ml ujë
PËRGATITJA: Ndezim paraprakisht furrën në temperaturën 180° C. Në një tas, me rrahësen e vezëve me dorë përziejmë vezët me sheqerin për 2 minuta, shtojmë gjalpin, mjaltin, kripën, miellin, vaniljen, sodën me sitë, arrat dhe e punojmë brumin me lugë druri. Hedhim brumin në tavën e lyer me pak gjalpë dhe e nivelojmë me duar të lagura ose me kurrizin e një luge të lagur. E lyejmë sipër me të verdhën e vezës, të rrahur më parë me pirun. E pjekim në furrë për 40-45 minuta ose derisa kur të bëjmë provën me kruajtëse dhëmbësh, ajo të dalë e pastër. Kur të ketë marrë ngjyrë në sipërfaqe, e mbulojmë me letër alumini, pasi koha e pjekjes është e gjatë dhe mund të digjet. Sherbeti: në një tenxhere ziejmë sheqerin me ujin duke i përzier vazhdimisht derisa të marrin valë. E heqim nga zjarri dhe e lëmë të ftohet. E hedhim sherbetin të ftohtë mbi ëmbëlsirën e ngrohtë, pasi këtë të fundit ta kemi prerë në copa katrore ose sipas dëshirës.
Ju bëftë mirë!