Shërbëtorja ruse

Elmaz Fida

Historia në fjalë vjen nga Rusia dhe e rrëfen atë shkrimtari Anton Shehov. Ai tregon se pas një farë kohe nga punësimi i shërbëtores së re, e kishte thirrë në zyrën e tij për ti dhënë rrogën e parë.
“Të kam thirrë për të të paguar detyrimet për punën që ke bërë gjatë periudhës së shkuar.” i tha ai, sapo hyri brenda shërbëtorja.
Shërbëtorja i tha:”Faleminderit zotëri!”
Padroni shtoi:”Sigurisht që ty të duhen paratë, prandaj dhe punon. Edhe pse ka dy muaj që ke filluar punë, ty të ka ardhur zor mesa duket të kërkosh rrogën tënde.”
Shërbëtorja uli kokën dhe buzëqeshi.
Padroni i tha:”Kur fillove punë, ne ramë dakord që do të marrësh tridhjetë rubla në muaj!”
Shërbëtorja e zënë ngushtë dhe e befasuar murmuriti:”Dyzet!”
Padroni i tha:”Jo, jo. Për tridhjetë rubla kemi rënë dakord. Unë edhe e kam shënuar në fletoren time të shënimeve.”
Duke mos patur zgjidhje tjetër, shërbëtorja i tha:”Ne kemi rënë dakord për dyzet, por nëse ju insistoni, ok, tridhjetë.”
Padroni rus i tha:”Ju keni dy muaj që punoni tek ne, apo jo?”
Shërbëtorja iu përgjigj:”Po, dy muaj e pesë ditë.”
Padroni ndërhyri:”Jo jo, dy muaj fiks. Unë e kam çdo gjë të shënuar në regjistër. Unë jam shumë i përpiktë dhe ne si familje të detyrohemi gjashtëdhjetë rubla për 60 ditë.”
Shërbëtorja tundi kokën në shenjë pohimi.
Mandej, padroni rus shtoi:”Por, nga këto gjashtëdhjetë rubla do të heqim nëntë të diela, të cilat ti i ke pasur pushim, prandaj dhe s’ke përse të paguhesh për to. Veç kësaj do të heqim edhe tre ditë pushime për festa.”
Shërbëtorja sa vinte e skuqej në fytyrë nga ato që i dëgjonin veshët.
Padroni vazhdonte e fliste:”Kështu, do të heqim dymbëdhjetë rubla nga gjashtëdhjetë që të detyrohemi. Jemi në rregull?”
Shërbëtorja e gjorë filloi të dridhej nga emocionet që e pushtuan dhe dy pika loti i rrëshqitën në sytë.
Padroni rus vazhdoi:”Nga shënimet që kam mbajtur, shoh që një ditë ju keni thyer një pjatë që e kisha trashëgim nga gjyshja ime e dashur. Përveç çmimit të saj, ajo pjatë ishte një kujtim shumë i vyer i gjyshes. Megjithatë, këtë po ta fal dhe nuk po të kërkoj dëmshpërblim. Por, shoh që një ditë tjetër, im bir është ngjitur në pemë dhe ka shqyer pantollonat e reja. Përderisa ti je kujdestarja e tij, duhet të kishe marrë masat që kjo të mos ndodhte. Shoh që një ditë tjetër djali i madh ka humbur çantën që sapo ia kishim blerë. Prandaj, për pantollonat e të parit dhe çantën e të dytit, do të heqim nga rroga dhjetë rubla të tjera. Megjithatë, nuk kemi mbaruar me kaq. Në regjistër e kam të shënuar që i ke marrë time shoqeje dhjetë rubla borxh!”
Shërbëtorja i tha:”Jo zotëri, i kam marrë vetëm tre rubla, jo dhjetë.”
Padroni rus ia ktheu:”E di ti apo e di unë që e kam të shënuar këtu. Dhjetë rubla keni marrë. Kështu, po të heqim 32 rublat që përmendëm me lart, ne të detyrohemi 28 rubla për dy muaj punë. Në rregull?”
Shërbëtores i rrodhën lot nga ato fjalë që dëgjoi, megjithatë nuk foli as dhe një fjalë tjetër përveç “Faleminderit!”.
Pronari i tha:”Faleminderit?! Çfarë thua moj?! Po më falënderon sepse po të zhvas, të shfrytëzoj dhe nuk të jap të drejtën?! Për çfarë më falënderoni pash Zotin?!”
Shërbëtorja iu përgjigj:”Po, u falënderoj për aq sa më dhatë zotëri, sepse kam punuar në vende të tjera dhe kam dalë duarbosh!”
Pronari i tha:”Gjithçka që thashë më lart, ishte një shaka. Ja ku i ke tetëdhejtë rublat e plota që të takojnë. Veç kësaj, ke dhe njëzet rubla të tjera si shpërblim për sinqeritetin dhe përkushtimin në punë. Doja vetëm të shoh si do të reagoje në një situatë të tillë. Unë të falënderoj për maturinë dhe vlerat që ke!”
Profeti Muhamed a.s thoshte:”Jepjani punëtorit hakun para se ti thahet djersa!”
A të ka ndodhur ndonjëherë ti hysh në hak njeriu? A të ka ndodhur ti mohosh mundin dhe ta privosh nga të drejtat e tij? A të ka ndodhur të mos i japësh hakun një punëtori që ke marrë për një punë të caktuar?
Kushdo që i hyn në hak punëtorëve që ka, ta dijë se ka një Zot mbi kokë i cili e refuzon padrejtësinë. Kushdo që i trajton keq vartësit e tij, do të përballet me një epror që do e trajtojë keq. Zullumi është një energji pozitive e cila i kthehet sërish burimit nga doli. Jepja tjetrit hakun para se ti thahet djersa.

Nga: Elmaz Fida