Shëtitje në vetën e parë

Edison ÇERAJ

“Sa keq që forma e një qyteti ndryshon shumë më shpejt se zemra e një njeriu.”

(Baudelaire, “Mjelma”, cituar nga Pamuk në romanin “Çudia në mendjen time”)

Shkruan: Edison ÇERAJ, Tiranë

1.

Herë mbas here është e nevojshme me dalë shëtitje nëpër qytet ditëve të qeta, ndonji të shtunë apo të diel, ose gjatë gushtit, kur njerëzit mësyjnë bregdetin e qyteti zbrazet duke shfaqë kështu nji tjetër përmasë, nji tjetër gjendje.

Janë çaste kur kupton se si banon ti te qyteti dhe se si banon qyteti në ty; në ç’mënyrë të pranon qyteti e në ç’mënyrë e pranon ti qytetin; çfarë të ka dhanë e çfarë të ka marrë.

Kujtimet fillojnë herë të luajnë e herë të dialogojnë me të tashmen, por edhe me të ardhmen, e thanë ma ndjeshëm me pritshmëritë.

Megjithëse kam mbi njëzet vjet në Tiranë, prapëseprapë ndihem i huaj, e kam të vështirë të gjej nji përkatësi, nji lidhje të fortë, nji konak ku mundem me bujtë qetë.

Sidoqoftë, në të njajtën kohë kjo nuk ka qenë ndonji pengesë apo ngërç për mua.
Pak a shumë më është dukur sikur jam përkohësisht në këtë qytet dhe nji ditë kam me e lanë.

Natyrshëm mendja m’rrin në vendlindje, në Shkodër, ku ndiej se do të kthehem nji ditë, qoftë dhe për me vdekë. Aty më flet ndryshe çdo gja, qoftë dhe qielli përmbi krye, që më duket i njohur, familjar, pjesë e imja.

2.

Ashtu sikurse çdo vendbanim dje dhe sot, edhe qytetin e bajnë njerëzit; janë njerëzit ata që mbajnë dhe ushqejnë nji qëndrim të caktuar me natyrën dhe me llojin e ndërtimtarisë që do të zhvillojnë në gjirin e saj të duruar; janë njerëzit ata që zgjedhin sjelljet dhe marrëdhaniet me njëri-tjetrin.

Cilësia e këtyre qëndrimeve përcakton edhe cilësinë e jetesës në nji qytet.
(– Hajde të dalim diku! – E ku me shku?!)

Cilësia e këtyre qëndrimeve/qasjeve në Tiranë është në nji nivel problematik. Ndryshe Tirana është quajtur me të drejtë edhe “zhvillim i sëmurë”.

Nji problem i madh në këtë qytet ka qenë dhe mbetet zhdukja e trashëgimisë kulturore materiale, veçanërisht viteve të fundit, ku ndërtesat historike ose po shemben, ose po tjetërsohen në emër të zhvillimit, dhe kjo bash në ato zona që janë zemra e nji qyteti, historia e tij, identiteti, kujtimet. Dalëngadalë qyteti po shndërrohet në nji qendër masive tregtare, që i stimulon banorëve veç dëshira, dhe prej këtej edhe gara ngulmuese për t’i përmbushë ato; por, mbi të gjitha i ban ata me u ndie të huaj në vendin e tyre, sepse po rrethohen vetëm me kulla e pallate gri që nuk ngopen me konsumatorë “pa dallim feje, krahine dhe ideje”.

Pavarësisht se shumëçka në këtë qytet duket sikur nuk mundet me u zhba ma, kur ka vetëdije dhe vullnet të mirë çdo gja mund të ndreqet, çdo gja e ka nji zgjidhje. Natyrisht kjo nuk mundet me ndodhë sot për nesër, se është çështje ndergjegjësimi, e fill mbas kësaj është çështje e zbatimit të ligjit edhe mbi “të fortët”, se mbi “të dobëtit” kemi tregu se jemi kampion.

Prandaj, qytetin e ban harmonia midis natyrës, traditës dhe zhvillimit, ku secilës i jepet hapësira e vet pa cenu njëra-tjetrën. Është e sigurt se ka hapësirë për të tria, por me nji kusht: kur ka vullnet të mirë dhe profesionalizëm, pavarësisht se për ne shqiptarët ky kusht tingëllon si nji melodi që ia kemi harru refrenin.

Roger Scruton shkruan: “Ajo arkitekturë që nuk respekton të shkuarën nuk respekton as të tashmen, sepse ajo nuk respekton nevojat bazë të njeriut përkundrejt saj, që lidhen me ndërtimin e një banese të qëndrueshme. Mjeshtrit e së shkuarës e kanë kuptuar nevojën shpirtërore të njeriut, ashtu siç kanë kuptuar edhe uritë tona më kafshërore. Për Platonin, e bukura ishte rruga drejt Zotit.” (E bukura, përkth.: Enkeleda Suti)

3.

Ashtu si njeriun, edhe qytetin e ban e shkuara e tij, kujtesa dhe kujtimet, provat dhe rrëfimet. (Ma provo kush je, se fjalë kanë të gjithë!)

Sa herë që më qëllon me dalë kur qyteti (Tirana) është i kotur pas ndonji feste a në verë, mundohem me gjetë prova e kujtime që lidhen me mua ose me të tjerë që i kam njohur personalisht apo përmes leximeve (Dalliu, Greblleshi, Kasoruho, Hatibi etj.). Përpiqem me i njoftë rrugët dhe rrugicat, ndërtesat dhe ndonji shtëpi që ka mbetur dhe krejt kjo me kureshtjen si do të ndihem, çfarë kanë me më thanë mua mysafirit të vjetër që kërkon pak mahallë, pak qytet, pak konak, aq sa me qenë paksa i qetë për me i dhanë edhe unë diçka qytetit, për me lanë nji shenjë, për me e rujtë aq sa mundem duke ba atë që di me ba ma mirë.

Në përgjithësi tiranasit janë të amel, të qetë, mikpritësa.

Kush ka dhuntinë e nuhatjes së hollë, pavarësisht pësimeve dhe mësimeve që ka kalu Tirana qysh kur u shpall kryeqytet, e ndien se nuk i është shteru karakteri i amel, i cili vazhdon me pulsu i mekur, nganjiherë edhe me gjallni. Shpallja e nji qyteti kryeqytet është thikë me dy presa, sepse nga njëra anë banorëve të tij u jepet mundësia për me zhvillu pronën (mirëqenien materiale), por nga ana tjetër vjen duke iu zbehë deri dhe zhdukë e shkuara, trashëgimia, rranjët, derisa vjen nji ditë e ndihen të huaj në shtëpinë e tyre.

4.

Si shumë qytete në Shqipëri e në rajon, edhe Tirana ka trashëgu kryesisht katër shtresa të ndryshme stilesh arkitektonike: periudhën osmane, mbretërinë, komunizmin dhe periudhën pas viteve 1990 e deri në ditët tona.

Në njifarë mënyre janë katër stile që e përjashtojnë njëri-tjetrin, veçmas periudha komuniste periudhat pararendëse, që janë ma të shtrira në kohë dhe ma të randësishmet e qenies shqiptare (nga kullat prej guri deri te ministritë e kohës së mbretit Zog).

Kur sheh bashkëjetesën me pahir të këtyre stileve, përkthyer në ndërtime konkrete që ngjajnë si një grumbull trupash në zor në nji autobus publik të mbingarkuar, të kujtohet mundësia e humbur e vazhdimësisë që u ndërpre prej komunizmit, e asaj vazhdimësie që zhvillohet si zgjatim i matur i së shkuarës, dhe për pasojë ndiej nji ligështim me të cilën duhet me bashkëjetu deri në pështjellim, sepse ai është ma kambëngulës se vullneti im për ta përballu.

5.

Shpeshherë, ndërtesat që më rrethojnë i shoh si zgjatime të karakterit të banorëve të qytetit. (Asgja e re, dihet.) Herë agresive, herë të mekura, herë të huaja siç jemi vetë ne me veten e me njëri-tjetrin. Ka edhe bukuri tek-tuk, si ishuj të vegjël që pluskojnë me ndrojtje në nji det dimërak që kërkon pranverën.

Sa herë që kaloj pranë ndonji ngrehine të kohës së komunizmit, siç është Pallati i Kulturës, Piramida, Muzeu Kombëtar, pallatet apo institucione të tjera publike, më kap nji lloj boshi që nuk e mbush dot asgja, as malli i ftohtë që ndiej për to. Është ai lloj malli i detyruar, meqë këto ndërtesa u banë pjesë e rinisë sime të hershme kur erdha së pari në Tiranë si student i Akademisë së Arteve (sot Universiteti i Arteve). Pa harru këtu Qytetin Studenti, ku bujta së pari kur erdha në Tiranë. Ishte viti 2001, fillimi i mijëvjeçarit të tretë, që u shënjua nga rrëzimi i Kullave Binjake në Nju Jork. Para viteve 90-të ky qytetth ishte fidanishtja kryesore ku merrte dorën e fundit të pjekjes i ashtuquajturi “njeri i ri”, dhe me të kry këtë “disiplinë e ndëshkim” Partia i jepte nji pozicion me randësi për ndërtimin e socializmit, asaj andrre që u ba nji makth i pashoq.

Të ashtuquajturat godina të kësaj hapësire, ku strehohen studentë nga i gjithë vendi, kishin numra përkatës që korrespondinin me universitete të ndryshme: juridiku, artet, inxhinieria, shkencat sociale, filologjiku etj. Për shembull, artet asokohe ishin te godina 28, pak a shumë në zonën juglindore të atij terreni kodrinor.

Godinat ngjanin ma shumë si ndërtesat e nji fabrike ose të nji reparti ushtarak, të ngrysura e si pa qejf, në ngjyrë okër të pjekur që anonte kah grija. Nganjiherë më dukej sikur rrezatonin nji lloj mistike pa mistikë, e malcuar, e thatë, e mekur.

Njerëzit që njoha në Qytetin Studenti, sidomos ata me të cilët ndava dhomën ato katër vite, përgjithësisht më qëlluan të hajrit, gja që më bante me e harru çehren e zymtë të atij mjedisi. Natyrisht edhe fakti që të gjithë banorët ishin studentë, të rinj, ishte nji energji më vete, nji konkurrencë e pashpallur që joshte ambiciet e mia.

Pothuajse çdo gja që u ndërtua në periudhën komuniste më jepte dhe vazhdon me më dhanë ftohtësi, atë ftohtësinë e fortë të të qenurit i huaj.

Çehrja e këtyre ndërtesave më ftonte vazhdimisht që të nënshtrohesha, që të harroja se kush isha për t’u ba pjesë e nji bote ku nuk mund të ishe ma ai që je, por ai që “duhet” të jesh.

Zona përreth Qytetit Studenti sa vinte e dendësohej egërsisht me ndërtime të reja, kryesisht shtëpi private që përdoreshin edhe si biznes, duke lëshu dhoma me qira për studentët.

Nuk dukej asnji lloj plani rregullues urbanistik në mënyrën se si po shtoheshin këto ndërtime. Ishte dhe është nji katrahurë e bekuar me heshtjen e blerë të autoriteteve. Edhe sot është gati e pamundur me pa nji shtëpi të hijshme. Mbizotëron nji shije kabah, agresive në forma e në ngjyra. Çdo fasadë sikur më shihte vrangët, me nji inat ngulmues. Ndjesia e hapësirës së përbashkët publike ishte zero; nji hapësirë e cila nuk ishte as private, as publike. Gjithsesi e sigurt që ishte përjashtuese, sidomos kur kaloje vetëm. Sa ma shpejt të kaloje, aq ma mirë. (– Pse me kaq ngut? – Për me rujtë higjenen shpirtërore. – Aha, kështu si ia ke nisë tash po bahesh atlet profesionist!)

Ngaqë kjo lloj hapësire publike, kjo e jashtme ka nji mijë mënyra për me të trazu, e kisha ba zakon me u përhumbë në mendime kur isha vetëm, dhe njifarësoj nuk kishte pikë lidhjeje se në ç’rrugë apo zonë isha. Aq shumë thellohesha në atë timen, saqë kishte jo pak raste kur nuk i vija re njerëzit që njihja, edhe pse mund të shkëmbeheshim gati ngjitur njëri-tjetrit. Me këtë rast ndihesha dyfish keq: së pari ngaqë nuk e kisha vu re personin që njihja; së dyti, kur ndonjëri më fliste edhe pse nuk e kisha mendjen, më shkëpuste nga bota ime e më zbriste në atë realitet të cilit mundohesha t’i përvidhesha.

Kot nuk thonë: nuk sheh syri, por mendja.

Në gjithë këtë nuk është se kisha ndonji sforco apo strapacim, thjesht ashtu më vinte dhe i jepesha ngaqë më dukej e drejtë.

6.

Ashtu sikurse na dëmton ajri i ndotur çdo ditë pa e vu re, po ashtu edhe arkitektura agresive apo e shëmtuar ushtron nji ndotje të vazhdueshme në mendje e në shpirt. Në fakt, ma shumë se e shëmtuara, na ndot kopja, ndërtesat copy-paste, por kjo është nji tjetër temë.

Nganjiherë ndihem si në çark, si i rrethuar, pa rrugëdalje, dhe ngushëllohem me idenë se duhet durim, se as të ikësh në nji vend tjetër nuk është zgjidhje, sepse është nji lloj dorëzimi.

Zbrazëtinë përpiqem ta marr si mungesë, sepse mungesa është pasuria ma e çmuar; është ajo që mban ndezë shpresën, dhe shpresa është jeta e jetës. Mungesa është lëvizje, arrati, ambicie, imagjinatë… Mungesa është nji bekim që peshon randë. Mungesa është varfërim prej gjanave që nuk na duhen dhe shtysa ma e fortë kah ajo që na duhet, kah ajo që na çliron prej dëshirave dhe na kujton qëllimin. Mungesa është ekuilibër. Mungesa është me pa thellë, me tejkalu syprinat joshëse, jo për me i mohu ato, por me i kuptu, me iu dhanë vendin që u takon.

Vetëm kur më qëllon me dalë prej Tiranës, për shembull kur shkoj diku në bregdet, kthjellem se sa e madhe është brenda meje nevoja për hapësirë, për horizont, për shkëputje dhe mbi të gjitha për heshtje, sepse “heshtja është gjuha e Zotit; çdo gja tjetër është veçse nji përkthim i varfër”. (Rumi)

Ky është nji prej probleme kyç të qytetit modern, se të pengon ngulshëm me ndejë me veten, me dëgju zanin e brendshme; sepse gjatë gjithë kohës qyteti të imponon kryerjen e nji funksioni në mënyrë mekanike, përndryshe të përjashton pa asnji grimë mëshirë. E ky funksion i vazhdueshëm është edhe zhurmues. Shumë zhurmë për çdo gja.

(Në lokal: – Ule pak muzikën! – E ul, por dëgjohen bisedat…)

Nji tjetër gja që më ban përshtypje kur dal prej qytetit është se ato çështje që më duken si derte të mëdha, si jetike, sapo gjendem në gji të natyrës kuptoj se sa pa randësi janë, se sa shumë vëmendje për asgja kam harxhu.

Shumë prej sikleteve apo frikërave që përjetoj sikur shuhen me magji jashtë honit të qytetit dhe më duken të largëta, si makthe të zbehta që i takojnë të shkuarës.

7.

Çdo qytet, veçan të mëdhenjtë, lëvizin me nji shpejtësi e cila nuk përputhet me ritmin e brendshëm të njeriut, sado që mundohemi me iu përshtatë dhe duket sikur ia kemi dalë. Dihet që antidepresantët në të tilla qytete shiten me thasë, marramendshëm. Tani po përdoren edhe të ashtuquajturit neuro-përmirësues, nji masazh pa mesazh për trurin. Depresioni tashmë jo vetëm që është ba normal, por ka nji prirje për ta estetizu deri në stil jetese. Kufiri midis përkorjes dhe marrëzisë është mjegullu.

Makthi që formulohet në fjalinë “nuk kam kohë” mbetet nji shpatë Demokleu që na rri kërcënueshëm mbi krye. Vetmia zgjeron territorin dhe shton thellësinë, intensitetin. Është nji vetmi me njerëz, me shumë njerëz përreth, që shkojnë e vijnë si dallgë pa lanë asnji gjurmë të qenësishme. Vetmi në zemër të dyndjes. Vetmi në turmë. Nji vetmi që je i detyruar me e zgjedhë, se “kështu ka ardhë koha”.

Lidhjet mes njerëzve priren të zgjasin në varësi të nji pune apo interesi konkret, dhe me përfundimin e këtij të fundit përfundon edhe lidhja, ose nuk është ajo që ishte ma parë. Kjo është normale, pak a shumë kështu ka qenë gjithmonë, por njeriu ka nevojë edhe me u dashtë e me u vlerësu edhe për atë që është, jo vetëm për atë çfarë mundet me ba apo me prodhu.

Në qytetet e mëdha ma shumë mbijetohet sesa jetohet, qoftë edhe kur ke mirëqenie të lartë materiale – edhe në këtë rast frika e humbjes së kësaj mirëqenieje, që kërcënohet nga lufta për sasi, e mjegullon dolce vita-n duke i vu nga mbrapa nji gjendje të vazhdueshme ankthi.

8.

“Teksa shtëpitë shembeshin, Mevluti pa ata që qanin, që qeshnin, ata që nuk mund të shikonin, ata që bënin sherr kot më kot. Kur i erdhi radha shtëpisë së tij njëdhomëshe, Mevlutit iu thye zemra. Me një goditje të vetme të buldozierit, fëmijëria e tij, gatimet, mësimet që mësonte, erërat që nuhaste, zëri i babait që flinte duke gërhitur, qindra e mijëra kujtime, çdo gjë u copëtua në një çast dhe u zhduk, sytë iu mbushën me lot.” (Pamuk, Çudia në mendjen time, f. 555)

Qyteti t’i jep shpejt kujtimet dhe t’i merr po aq shpejt.

Përveç vendeve të veçanta që ka qyteti, lagjeve, shesheve, ndonjë qoshku, ndërtesave etj., mbi të gjitha janë njerëzit, personazhet e dramës së tij ata që peshojnë ma shumë në qenien tonë, në kujtesën tonë. Lëvizshmëria e tyre në skenën dhe prapaskenën e qytetit i ngjan lumit: hyjnë në jetën tonë dhe ikin shpejt; lënë diçka në ne e marrin diçka prej nesh, qoftë edhe ai apo ajo që e kemi njohur për pesë minuta në rrugë, ashtu rutinë, “rastësisht”.

Por, edhe qyteti vetë, na jep të ardhmen (?) dhe na merr të shkuarën në këmbim. Të tillë e kam pa Shkodrën dhe Tiranën në kujtesën dhe qenien time, ku Tirana më ofron mundësinë për me u rritë profesionalisht, ama me çmimin se të kaluarën time në Shkodër (deri 19 vjeç) më kërkon me e vendosë në muze, a thua se kjo kujtesë është pengesë! Në fakt, është krejt e kundërta, sepse ne jemi ata që jemi në saje të rrugëtimit të veçantë që kemi ba deri më tash. Përmes këtij rrugëtimi ne orientohemi dhe zgjedhim në të tashmen “e përhershme” që jetojmë.

Në njifarë mënyre, Tirana më jep shpresë, kurse Shkodra besim.

9.

Nji prej veçantive të çdo kryeqyteti është se mbledh brenda banorë nga të katër anët e vendit, pa harru këtu edhe shqiptarët nga tokat e shkëputura që iu morën Shqipërisë në fillim të shek. XX.

Gjithnji m’kanë ba përshtypje dallimet apo diversiteti që kemi mes veti, duke pas parasysh edhe faktin se jemi nji vend kaq i vogël.

Gjatë këtyre viteve në Tiranë kam arritë me ba shumë miq e të njohur, pothuajse nga çdo qytet apo zonë e vendit. Veç të tjerash kam arritë me thithë prej secilit aromën e zonës përkatëse, fjalë të veçantë, histori të çuditshme, sjellje të caktuara, andërrime të ndryshme e shumëçka tjetër që unë nuk e di, dhe kjo që unë nuk di është shumë ma e madhe dhe ma e thellë sesa ajo që di.

Ne i japim njëri-tjetrit shumë ma tepër nga sa mendojmë, madje edhe shumë ma tepër nga sa andërrojmë.

“Mos dashuro asnjë vend: vendet lehtë zhduken!

Mos dashuro asnjë qytet: lehtë shndërrohen në gërmadha!”

(Miłosz, përkth.: M. Saneja)

Kjo porosi e poetit është shumë e randësishme kur bahet fjalë për marrëdhaniet qoftë me gjanat, qoftë me njerëzit, sepse të gjithë na lanë dhe i lamë nji ditë, sepse të gjithë ikim nji ditë. E thotë shumë shkoqur Kurani: “Çdo gja do të zhduket e do të mbetet Fytyra e Zotit tand plot madhëri e lavdi.” (Kurani, 55: 27)

Por, përpara se me u zhdukë, çdo qenie kalon nëpër disa faza, duke iu nënshtru disa ndryshimeve të pashmangshme, të cilat lënë gjurmët e veta të dukshme të padukshme. Në fakt, gjurmët e dukshme janë shumë pak krahasu me ato të padukshmet.

Për të perifrazu Izetbegoviçin, mundena me thanë se ne nuk jemi ajo çfarë themi dhe bajmë, por ajo që synojmë e ndiejmë.

10.

Gati çdo herë që shoh pikturat e Rothko-s, më ndjellin drejt nji horizonti me jehona e me zëra (zana), që herë mjegullohet e herë kthjellet deri në shkëputje të plotë nga cerga që thur e përditshmja, nga ajo e përditshme që na imponon qyteti; sepse kurbani i parë që kërkon nji qytet i erës moderne, apo nji qytet që u ikën rranjëve të veta është horizonti, e zërat mbyten nga zhurma, ndërsa ngjyrat zëvendëzohen me kopjet e tyre industriale.

Rothko ban atë lloj pikture ku nuk përfshin asgja konkrete, asnji send, e prapëseprapë nuk është nji art abstrakt, apo nji variacion i abstraktes.

Rothko përsiat mbi hapësirën, duke e zbrazë atë prej çdo ndërhyrjeje apo shenje të progresit. Sipërfaqja priret kah thellësia, pra kah zanafilla, kur çdo gja ishte horizont. Thellësia mbahet peng nga sipërfaqja. Mat. Frymëmarrja është e qetë. Ndjesia e paqtë. Ritmi ka heshtjen e detit natën. Jehonë e kulluar, pa objekt. Thirrje. Ftesë e sinqertë.

Po ashtu, qyteti cenon edhe stinët. Në Tiranë, me shtimin e shfrenuar të ndërtimeve, aromat dhe ngjyrat përkatëse të çdo stine sa vijnë e zbehen. Sa ma i betonizuar qyteti, aq ma pak i ngjajnë vetes stinët; ritmi i realitetit i kundërvihet ritmit të jetës, dhe (vetë)realizimi i përvidhet jetësimit.

11.

Ka goxha ngjashmëri midis trupit/fytyrës sonë dhe trupit/fytyrës së qytetit kur bahet fjalë për përkujdesjen/mirëmbajtjen.

Praktika e kirurgjisë estetike dhe e transplantit po aplikohet edhe nëpër qytetet tona, veçanërisht në Tiranë, sepse vendbanimi është zgjatim i njeriut, pasqyrë besnike e gjendjes së tij.

Pjesa kryesore apo historike e nji qyteti ka nevojë për mirëmbajtje, jo për kirurgji estetike apo transplant, siç ndodh në çdo vend me taban, ku në zonën historike as dorezën e portës nuk mundesh me e ndërru pa ardhë specialisti përkatës.

Mos me e pranu veten siç je, sigurisht ma së pari është krizë metafizike, që mandej fillon me shpërthy në sipërfaqe me shenja të çudshme e të përçudshme.

Ashtu sikurse askush nuk e merr seriozisht e nuk i rrihet me dikë që kërkon me u ba apo me u heqë si dikush tjetër, po ashtu as atë qytet që i largohet vetes nuk e do askush.

Ata që janë të kompleksuar pse janë ata që janë, duke ba çmos me u arratisë prej vetes (duke ndryshu edhe emrin nganjiherë), as qytetin nuk e durojnë dot ndryshe përveçse të tjetërsuar.

Kopja mundet me dalë e bukur (përkohësisht), por nuk ka asgja të vërtetë, dhe çdo ikje nga e vërteta ka si destin shpërfytyrimin.

Epilogu dihet: në fund fiton fytyra, sepse fati i maskës është me ra, mirëpo me këtë ranie mundet me ra edhe njeriu, edhe qyteti, deri në atë pikë sa bahet i huaj për veten, anonim, pezull, as në Qiell, as në tokë.

Qyteti është si nji pasqyrë ku këqyrim veten. Pasqyra nuk ka ndonji faj apo meritë kur na nxjerr ashtu siç jemi. /revistashenja