Shfaqet një spot kërcënues në serbisht në kabllorët vendorë, KPM-ja po e heton rastin

Programet sportive serbe “Arena sport” që transmetohen nga disa operatorë kabllorë në Kosovë, të shtunën kanë transmetuar spot kërcënues, që ndërlidhet me rastin e Banjskës. Këto mesazhe kanë figuruar edhe gjatë mëngjesit të së dielës.

Komisioni i Pavarur për Media (KPM) ka njoftuar se ka filluar të mbledhë prova dhe se të martën në mbledhjen e saj do të vendosë për rastin.

“Mbrëmë jemi lajmëruar nga qytetarë të shumtë se disa nga operatorët e shpërndarjes që janë të licencuar nga KPM po transmetojnë në platformat e tyre video mesazhe kërcënuese për rendin dhe sigurinë kombëtare. Sot kemi filluar menjëherë me mbledhjen e provave. Nesër i analizojmë gjetjet kurse të martën vendosim për rastin në mbledhjen e Komisioni”, ka shkruar në Facebook, kryesuesi i KPM-së, Jeton Mehmeti.

Në spotin e shfaqur shkruante edhe “Manastiri i Banjskës” dhe data e 24 shtatorit, kur ndodhi rasti.

Serbia ka thurur lavde për sulmuesit që u vranë gjatë aktit terrorist në Kosovë. Madje ka shpallur edhe ditë zie për ta.

Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar që kur më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga grupi i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre sulmues. Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Në aksion është kapur arsenal armësh