Ballina Lajmet Kosovë Shiroka-Pula e Kurti zotohen për “punë të mëdha”

Shiroka-Pula e Kurti zotohen për “punë të mëdha”

Një ditë pas inaugurimit si presidente, Justina Shiroka-Pula ka pritur në zyrë kryeministrin Albin Kurti. Me të janë zotuar për “punë të mëdha”. Për shefin e qeverisë dhe zyrtarë të partive në opozitë, zgjedhja e Shiroka-Pulës presidente do të ndikojë në stabilitetin politik në vend, që ka munguar për pothuajse dy vjet.

Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës presidente, pas një periudhe gati dyvjeçare të krizës institucionale, ka nxitur shpresë te krerët institucionalë dhe zyrtarët e partive politike për stabilitet në vend.

Nga takimi që presidentja Shiroka-Pula pati të enjten me kryeministrin Albin Kurti, ajo ka thënë se është shprehur gatishmëri për bashkëpunim dhe bashkërendim ndërmjet institucioneve.

“Gjatë takimit, presidentja Shiroka-Pula shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe bashkërendim ndërmjet institucioneve, në shërbim të qytetarëve dhe të interesave të vendit. Kryeministri Kurti e falënderoi presidenten për gatishmërinë për të marrë këtë përgjegjësi dhe i uroi suksese në detyrë. Ai shprehu përkushtimin për të bashkëpunuar me të në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe në çështjet me rëndësi për Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës, pas takimit.

E, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti pasi e ka uruar për detyrën, e ka falënderuar presidenten Shiroka-Pula që pranoi këtë përgjegjësi në një kohë kur vendi kishte shumë nevojë për president që, “përveçse përbashkon e sjell stabilitet, ka integritet të lartë, dije të gjerë dhe përvojë të gjatë akademike e institucionale”.

“Kryeministri Kurti theksoi se do të bashkëpunojë dhe do të bashkërendohet me presidenten Shiroka-Pula për punët e mira për qytetarët dhe për prioritetet shtetërore”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Edhe
Shiroka-Pula shpreh gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me Kurtin
Arbëri 5 o. më parë
Shiroka-Pula shpreh gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me Kurtin
E, vetë kryeministri Kurti është shprehur se në takim janë dhënë zotime për punë në interes të shtetit e për të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim.

“Mikpritje e përzemërt dhe zotim i përbashkët për punë të mëdha, të përditshme për interesin shtetëror dhe publik dhe për të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim. Unë e falënderova shumë zonjën presidente, e cila na ka nderuar me pranimin e saj për kandidaturën të martën. Tash na presin dhe shumë angazhime, të cilat natyrisht me vullnet të mirë dhe të gjithë dijen dhe mundësinë që kemi do t’i shpiem përpara sa më shpejt që mundemi. Republika e Kosovës, pas më shumë se një vit e gjysmë, ka institucione funksionale dhe nuk kemi kohë për të humbur”, ka thënë Kurti. “Duhet të bëhemi bashkë për shumë sfida që i kemi përpara. Unë hasa jo vetëm në mirëkuptimin, por edhe gatishmërinë, interesin dhe vullnetin e presidentes së re që të bashkërendohemi maksimalisht për të gjitha gjërat në çdo aspekt”, ka thënë Kurti.

Zgjedhjen e Shiroka-Pulës në krye të shtetit, është përshëndetur edhe nga dy partitë opozitare që nuk morën pjesë në votimin për të.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, e vlerësoi shpresëdhënëse situatën e krijuar, pas zgjedhjes së saj.

“Përballim i një situate dhe krize politike për dy vjet gati që Kosovën e çojnë në vitet e humbura. Ajo tani bart këtë shpresë të pjesës dërmuese të Kosovës, që Kosova ka potencial, ka mundësi t’i përballojë proceset politike dhe që jo vetëm opozita, po edhe shoqëria civile edhe të tjerët e kanë një derë ku mund të komunikojnë dhe uroj të mos jetë një shpirt ku mund të vajtojnë”, ka thënë Haziri.

E kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, deklaroi se përgjegjësia për bllokadën e deritanishme u takon “atyre që morën pushtetin”.

Gjini ka thënë se Aleanca, e cila nuk mori pjesë në votimin për presidenten, del nga ky proces “me kokën lart”, duke theksuar se nuk ka hyrë në pazare politike apo kalkulime të minutës së fundit.

“Kosova më në fund ka përmbyllur ciklin e konsolidimit të institucioneve, duke i dhënë fund bllokadave të panevojshme politike dhe zgjedhjeve të vazhdueshme të shkaktuara artificialisht, që e mbanin peng vendin. Ky është një lajm i mirë për stabilitetin dhe për qytetarët tanë”, ka thënë Gjini, sipas të cilit, Aleanca ishte e para që pas zgjedhjeve doli me një ofertë të qartë dhe pa kushte, me synimin që Kosova të mos zvarritej dhe të mos shkonte sërish në zgjedhje.

“Oferta jonë pa asnjë kusht ishte ekskluzivisht parimore, për shtetin dhe për qytetarët. Nuk bëmë asnjë pazar dhe secilin premtim dhe qëndrim e mbajtëm deri në fund”, ka deklaruar Gjini.

Ai ka thënë se tash përgjegjësia për qeverisjen u takon atyre që kanë marrë pushtetin.

“Koha e bllokadave mbaroi dhe përgjegjësia absolute u mbetet atyre që morën pushtetin. Prandaj, nga sot, puna jonë zhvendoset në terren”, ka shkruar Gjini.

Ai ka paralajmëruar se Aleanca do të jetë aktive në të gjitha komunat e Kosovës dhe do të veprojë si opozitë e pakompromis.

“Aleanca do të jetë çdo ditë në terren, duke takuar e dëgjuar qytetarët në çdo komunë të Kosovës. Ne do të jemi opozitë e pakompromis. Do të flasim hapur dhe me emër për secilën shkelje, në secilin institucion dhe në çdo nivel të këtij pushteti”, ka deklaruar ai.

Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente në minutat e parë të 7 tetorit. Një ditë pas inaugurimit si presidente, ajo bëri homazhe në kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz, pastaj te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe tek ai i veprimtarit Adem Demaçi.