Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shiti bukën e gojës për të varrosur kushëririn…

Shiti bukën e gojës për të varrosur kushëririn…

Një familje, dy humbje, një çmim i pamundur për t’u përballuar

Mohanad El-Hemrawi, The Electronic Intifada

Dielli i pasdites ishte përvëlues ndërsa përpiqesha të hapja një gropë në tokën shkëmbore në periferi të Deir al-Balah, në Gazën qendrore. Asfalti ishte shkatërruar nga tanket dhe ajo që dikur ishte rrugë tashmë ishte vetëm një shtresë dheu e fortë.

Përpara meje ishte kushëriri im Bahaa, ndërsa pranë tij qëndronin gjashtë xhaxhallarët e mi. Po përpiqeshim të hapnim një varr për Thair-in, kushëririn tim më të afërt. Lopata u thye pas vetëm disa goditjesh.

Më pas, unë dhe Bahaa vazhduam të gërmonim me duar, por toka ishte aq e fortë dhe e nxehtë sa mezi ia dolëm të hapnim një gropë.

Thair Muhammad Abu Mughaysib ishte 33 vjeç. Që nga zhvendosja jonë e parë në tetor 2023, kishim jetuar së bashku në të njëjtën tendë. Ai ishte njeri i qeshur dhe, edhe në ditët më të vështira, gjente një mënyrë për të bërë shaka.

Një natë, ndërsa një sulm tronditi zonën ku qëndronim, pluhuri dhe rëra u shpërndanë nëpër tendë. Thair e pastroi pluhurin nga shpatulla dhe bëri një shaka për të. Të gjithë qeshëm për pak çaste.

Edhe në radhët e gjata të bukës, ai dinte ta kthente pritjen dhe ankthin në një moment humori. Por jeta jonë po bëhej gjithnjë e më e vështirë. Në mesin e vitit 2025, uria na kishte goditur rëndë.

Unë dhe Thair shkonim pothuajse çdo ditë në pikat e shpërndarjes së ndihmave, duke u kthyer shpesh duarbosh.

Thair ishte djali i madh i familjes dhe ndihej përgjegjës për babanë e tij, Muhamedin, motrën e ve Nour dhe fëmijën e saj, si dhe vëllain Bahaa. Kur ushqimi u bë pothuajse i pamundur për t’u siguruar, ai e vuante shumë pamundësinë për të ndihmuar familjen.

Më 13 gusht 2025, Thair më foli për dëshpërimin që po përjetonte. Më tha se familja e tij po vuante nga uria dhe pyeti nëse bota ende i konsideronte njerëz. Ai ishte dobësuar shumë dhe dukej i rraskapitur.

I thashë se po, ne ishim njerëz, me ndjenja dhe me stomak bosh, ndërsa bota dukej sikur kishte mbetur pa zemër. Para se të largohej nga tenda, Thairi buzëqeshi.

Nuk e dija se do të ishte hera e fundit që do ta shihja atë buzëqeshje. Të nesërmen mësuam se Thair ishte plagosur dhe ishte dërguar në spital.

Unë, babai im dhe Muhamedi u nisëm drejt Spitalit Al Shifa. Ecëm për shumë kilometra, me shpresën se do ta gjenim gjallë. Por kur mbërritëm, Thairi kishte vdekur.

Trupi i tij ishte mes shumë të tjerëve që familjet po përpiqeshin t’i merrnin. Kur e gjeta, gjëja e parë që më ra në sy ishte buzëqeshja e tij.

Kthimi në Deir al-Balah ishte vetëm fillimi i një tjetër beteje. Për varrimin kërkoheshin 400 dollarë, një shumë e pamundur për familjen tonë. Kishim blerë miell për të ushqyer familjen, por vendosëm ta shisnim për të paguar shpenzimet e varrimit.

Edhe atëherë nuk mjaftoi. Në fund, disa njerëz na ndihmuan me shpenzimet dhe arritëm ta varrosnim Thairin.

Pas vdekjes së të birit, Muhamedi ndryshoi. Njeriu i shoqërueshëm që njihnim u bë i heshtur dhe i tërhequr. Disa javë më vonë, ai më tha se në një jetë normale është djali që varros babanë, dhe jo e kundërta.

Dy muaj më pas, më 2 nëntor, Bahaa na telefonoi duke thënë se Muhamedi nuk ndihej mirë. Nuk kishte ambulancë dhe transporti ishte i vështirë. Më vonë na kërkoi të shkonim në Spitalin e Dëshmorëve të Al-Aksas, sepse gjendja e tij ishte përkeqësuar.

Kur mbërritëm, Muhamedi kishte vdekur. Që nga ajo ditë, vazhdoj të mendoj se kostoja e vërtetë nuk ishte 400 dollarë. Ishte Thairi. Pastaj ishte Muhamedi. Ne e paguam dy herë! \tesheshi