Shkarkohet kryeshefi i Trepçës

Pak minuta më parë është shkarkuar nga pozita e Kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes “Trepça”, Basri Ibrahimi.

Ai për IndeksOnline e ka konfirmuar këtë lajm duke thënë se tani i erdhi radha që “fshesa”e kryeministrit në detyrë Albin Kurti ta prek edhe atë.

Ibrahimi ka kontestuar këtë vendim të bordit të përkohshëm të Trepcës, duke thënë se ai është marrë pa kuorum.

“Po është e vërtet. Edhe mu më erdhi radha nga fshesa e Vetëvendosjes për largimin e bordeve dhe kryeshefave ekzekutiv. Një vendim politik që nuk ka asnjë bazë ligjore, pasi nuk bazohet në performancën. Vendim është marrë pa kuorum, pasi që Vetëvendosje nuk e ka ditur, por në bord dhe për vendime duhet të jenë 9 anëtar, ndërsa ata janë vetëm katër. Kjo tregon se sa dinë kjo qeveri”, ka thënë Ibrahimi.

Sipas tij qeveria në detyrë ka penguar punën e kësaj ndërmarrje dhe këtij menaxhmeti, duke mos ua alokuar as parat për pagat e punëtore, e rrjedhimisht ka shkaktuar pakënaqësi tek ta.

“Ky bord pa kuorom më ka shkarkuar në mënyrë arbitrare dhe me kërkesë nga ministra Hajdari, këtë po e bazojë në ligjin që është dashur të alokohen, me ditë të tëra i kam kërkuar të na lejojnë ato paga, për minatorët. Nuk është lejuar ekzekutimi i tyre sepse këtë muaj nuk kemi arritur të paguajmë pagat, por  kjo jo për shkak të prodhimit por kjo ka qenë kryekëput e orkestruar nga ta për të shkaktuar pakënaqësi tek punëtorët”, tha ai për IndeksOnline.

Ibrahimi ka thënë se do t’i përdor të gjitha masat ligjore për të parandaluar jetësimin e këtij vendimi dhe se po ashtu do të ngrisë padi ndaj këtij bordi.

“Unë do t’i përdori të gjitha masat juridike që mundem, por edhe do të ngreh padi edhe ndaj anëtarve të bordit, sepse vendimi nuk është bërë në kuadër të  performacës dhe nuk ka asnjë bazë ligjore”, nënvizoj ai.