Shkarkohet kryeshefja e Inspektoratit Policor

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike Xhelal Sveçla, ka shkarkuar nga detyra kryeshefen e Inspektoratit Policor Miradie Kelmendi.

Sveçla tha se shkarkimi i Kelmendit ka ardhur pas gjetjeve në dy raporte.

“Raporti me rekomandime për Mbikëqyrje të zbatimit të ligjit për IPK-në, hartuar nga Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës; dhe Raporti i Auditimit për Ministrinë e Punëve të Brendshme të vitit 2018. Po ashtu kam marrë parasysh edhe letrën e rekomandimeve nga Avokati i Popullit Nr. 683/2019 lidhur me çështjen “Agron Hasanaj kundër Inspektoratit Policor të Kosovës”, njofton Sveçla përcjell Klan Kosova.

Sipas tij në këto raporte konstatohen shkelje të ndryshme në menaxhimin e IPK-së dhe mes tjerash edhe rekomandohet shkarkimi i Kelmendit.