Shkollat në New York City do të qëndrojnë të mbyllura deri në shtator

Shkollat në New York City do të qëndrojnë të mbyllura deri në muajin shtator, me qëllim për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media, kreu i qytetit New York City, Bill de Blasio, tha se shkollat, të cilat janë të mbyllura që nga 16 marsi, nuk do të hapen deri në muajin shtator.

De Blasio tha se ky vendim nuk është i lehtë, por se është i duhuri, duke shtuar se arsimi do të vazhdojë online në internet.

Në New York, vendi me sistemin më të madh arsimor në SHBA, ka gjithsej 1.800 shkolla dhe 1.1 milion nxënës.

Pas shfaqjes për herë të parë në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli Evropën epiqendër të re të këtij virusi pasi Kina kryesisht ka dalë nga kriza e koronavirusit.

Bazuar në shifrat e Universitetit John Hopkins me qendër në SHBA, pandemia ka vrarë rreth 104 mijë persona, ndërkohë mbi 1.7 milionë janë infektuar dhe afër 390 mijë janë shëruar.