Shoqëritë e konsumit dhe festat fetare

Muslimanët e njohin Profetin Isa, paqja qoftë mbi të, si të dërguar dhe profet, jo si bir i Zotit.
Krishtlindja është një festë e krishterë. Megjithatë, mësimet që mund të nxirren nga ky kujtim kanë një karakter kozmik të përfaqësuar në dashuri: dashurinë për Zotin e Plotfuqishëm dhe dashurinë për krijimin, pasi dashuria është thelbi i sjelljes shpirtërore. Dashuria është dhënia, dhurata dhe sakrifica. Ajo që ka rëndësi nuk është dhurata që marrim, por ajo që ka rendesi është ajo që japim me zemrën, qenien dhe dashurinë tonë.

Shoqëria e konsumit e ka prishur shumë shpesh këtë mesazh. Ndaj, ky rast është bërë një justifikim për të konsumuar, blerë dhe shpenzuar.
Ditët që lëm pas ishin të lidhura ngushtë me mesazhin e zemrës dhe shpirtit, por tashmë mbizotërojnë ankandet materiale.
Është tamam si Ramazani, muaji i sakrificës dhe i dashurisë, ku përfundojmë duke ngrënë dhe duke shpenzuar shumë. Agjerimi lidhet me ngritjen shpirtërore nëpërmjet agjërimit të zemrës dhe barkut por ne bëjmë të kundërten, duke e ngarkuar trupin me sasinë e madhe të ushqimeve.
Ne prishim mesazhet më të bukura duke humbur thelbin dhe frymën e riteve dhe ceremonive. Prandaj, është detyrë e të krishterëve, myslimanëve dhe të gjithë besimtarëve të traditave fetare dhe shpirtërore në mbarë botën që të angazhohen për t’i rezistuar mentalitetit konsumist dhe sasior që mbyt kuptimin.
Pra, çështja lidhet me një “xhihad” kolektiv për të promovuar thjeshtësinë dhe kuptimet e përzemërta, përmes të cilave mësojmë të japim pa llogaritje dhe pa nevojë për provat e një here në vit.
Dhurata e një buzëqeshjeje të fshehur çdo ditë është më shumë se një dhuratë e dukshme dhe e shtrenjtë me rastin e një dite apo një nate në vit.

Nga: Tarik Ramadan