Allahu i Madhëruar thotë: “Elif Lâm Râ. Këtë Libër ta kemi shpallur ty (o Muhamed), për t`i nxjerrë njerëzit, me lejen e Zotit të tyre, nga errësira në dritë, në rrugën e të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd”[1]Gjithashtu, Allahu i Madhëruar thotë: “Është Ai që i ka zbritur robit të Vet shpallje të qarta për t`ju nxjerrë nga errësira në dritë. Allahu është vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë me ju”[2]
Allahu i Madhëruar e dërgoi Muhamedin (a.s) me Librin e Qartë (Kuranin). Ky Libër ndan udhëzimin nga devijimi, të gabuarën nga e drejta dhe dyshimin nga bindja. Allahu i Madhëruar e ka shpallur Kuranin, që ne ta lexojmë atë me meditim, të hulumtojmë në të më syçelësi, të lumturohemi me të dhe të marrim mësim prej tij, ta shpjegojmë atë sipas mënyrës më të bukur dhe më të arrirë, të vërtetojmë çdo gjë në të, të përpiqemi për kryerjen e urdhëresave të tij dhe të shmangemi nga çdo gjë që Kurani e ndalon. Nga “pemët” e Kuranit të vjelim frutet e dijeve të tij të dobishme, që na çojnë tek Allahu i Madhëruar. Nga kopshtet e Kuranit të zgjedhim lulet, që mbartin aromat e urtësisë. Kurani është libri që ia tregon Allahun, kujtdo që dëshiron ta njohë Atë, është rruga e udhëtarit për tek Ai, është drita e qartë që ka eliminuar të gjitha errësirat, është mëshira e dhuruar që përmirëson jetën e të gjitha krijesave. Kurani është litari i Allahut, tek i cili mbahen robërit e Tij, atëherë kur shkëputet çdo lidhje tjetër. Kurani është porta e madhe, nëpërmjet të cilës futesh tek Allahu dhe kjo portë nuk mbyllet kurrë edhe nëse mbyllet çdo portë tjetër. Kurani është rruga e drejtë dhe nuk shtrembërohet nga mendimi i askujt, është përkujtuesi i urtë, që nuk ndikohet nga asnjë pasion. Kurani është zbritja fisnike. Dijetarët nuk ngopen kurrë prej tij, mrekullitë e tij nuk mbarojnë asnjëherë, retë e begatisë së tij nuk shterrojnë kurrë, faktet dhe argumentet e tij nuk kanë fund, ndërsa kuptimet e ajeteve të tij nuk kanë kundërthënie mes tyre. Sa më shumë që sytë e zemrës të hulumtojnë dhe meditojnë në këtë Kuran, aq më shumë u shtohet bindja dhe vetëdijësimi. Sa më shumë kuptime të nxjerrësh nga Kurani, aq më shumë shpërthejnë burimet e urtësisë së tij. Kurani është drita e syve të zemrës, që I mbron ato nga verbimi, është shërim që e mbron zemrën nga sëmundjet. Kurani është jeta e zemrave dhe kënaqësia e shpirtërave, është kopshti i zemrave dhe ylli orientues i shpirtërave për tek streha e lumturisë (Xheneti). Kurani thërret në mëngjes dhe mbrëmje: “O ju kërkues të shpëtimit, ejani për në shpëtim”. Kurani është ftuesi për në besim, i cili qëndron në krye të rrugës së drejtë dhe thërret: “O populli ynë, përgjigjjuni thirrësit të Allahut dhe besojini Atij! Ai do t’jua falë gjynahet tuaja dhe do t’ju shpëtojë prej dënimit të dhembshëm”[3]
Lehui Mahfudh
Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë, ai është një Kuran i lavdishëm, në Pllakën e Ruajtur mirë (Leuhi Mahfûdh)”[4]Ai thotë gjithashtu: “Në të vërtetë, Ne e kemi shpallur Kuranin në gjuhën arabe, për ta kuptuar ju, e ai është te Ne, në Librin kryesor (Leuhi Mahfudh), i lartësuar dhe plot urtësi”[5]
Këto ajete janë argument, se Kurani është i ruajtur dhe gjendet në “Leuhi Mahfûdh – Pllakën e Ruajtur”. Natyrën e kësaj Pllake nuk e dimë, pasi është nga çështjet e gajbit – të fshehtës. Ne dimë se kjo Pllakë është si një libër amzë, ku është rregjistruar se çfarë do të ndodhë deri në Ditën e Kijametit.
Zbritja e Kuranit
Në Kuran përdoren fjalët “enzele” “nez`zele ” apo “tenzîl” kuptimi gjuhësor i të cilave është “zbres, fushoj, zbres parreshtur, zbritje e përsëritur, etj.
Allahu i Madhëruar thotë: “Ne e kemi zbritur (enzelnâhu) atë (Kuranin) në Natën e Kadrit”[6] “Ai të ka shpallur (nezzele) ty Librin, me të vërtetën e saktë”[7] dhe: “Shpallje e zbritur (tenzîlun) nga Zoti i botëve”[8]
Disa dijetarë thonë, se fjala enzele nënkupton zbritjen e Kuranit të plotë nga Leuhi Mahfudhi në qiellin e dunjasë dhe fillimin e shpalljes që iu zbrit të Dërguarit të Allahut (a.s), ndërsa fjala tenzil nënkupton zbritjen e përshkallëzuar të Kuranit apo përsëritjen e shpalljes.
Mendimi më i drejtë është se kuptimi bazë i fjalës tenzil të përdorur në Kuran është “lajmërim, njohje, mësim, vënie në dijeni”. Në këtë rast, kjo fjalë nënkupton se Xhibrili (a.s) ia ka mësuar Kuranin të Dërguarit të Allahut (a.s)
Si zbriti Kurani nga Leuhi Mahfûdh në qiellin e dunjasë dhe pastaj tek Muhamedi (a.s)? Dijetarët kanë katër mendime në lidhje me këtë çështje:
Mendimi i parë: Kurani u zbrit i plotë nga Leuhi Mahfûdh në qiellin e dunjasë në natën e Kadrit dhe më pas u zbrit në tokë për një periudhë 23 vjeçare në varësi të rrethanave. Ky është mendimi i pjesës më të madhe të dijetarëve.
Mendimi i dytë: Kurani është zbritur nga Leuhi Mahfûdh në qiellin e dynjasë për 20 apo 23 net Kadri, pra për 20 apo 23 vite. Në natën e parë të Kadrit është zbritur një pjesë në qiellin e dynjasë, e cila i shpallej gradualisht të Dërguarit të Allahut (a.s) gjatë gjithë vitit dhe kështu është shpallur vit pas viti. Ky është mendimi i Mukatilit, Hulejmit dhe Maverdit.
Mendimi i tretë: Në fillim Kurani është zbritur i plotë nga Leuhi Mahfûdh në qiellin e dunjasë – në natën e Kadrit – dhe pastaj është zbritur gradualisht në tokë. Ky është mendimi i Shabiut.
Mendimi i katërt: Engjëjt ruajtës e kanë zbritur Kuranin të plotë nga Leuhi Mahfûdh në qiellin e dunjasë dhe më pas ia kanë diktuar Xhibrilit (a.s) pjesë – pjesë për 20 ditë, ndërsa Xhibrili (a.s) ia ka diktuar pjesë-pjesë Muhamedit (a.s) për 20 vite. Maverdi e përmend këtë mendim, mirëpo nuk thotë se cilët dijetarë e përkrahin atë.
Mendimi i parë është mendimi më i drejtë dhe i saktë. Allahu i Madhëruar thotë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja)”[9] Ai thotë në një ajet tjetër: “Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar”[10].Allahu i Madhëruar thotë gjithashtu: “Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit”[11]
Të gjitha këto ajete argumentojnë, se Kurani është zbritur nga Leuhi Mahfûdh në qiellin e dunjasë në muajin e Ramazanit, ndërsa ajeti i parë i është shpallur Muhamedit (Paqja qoftë mbi të) në natën e Kadrit. Uathile ibn Eska (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Teurati është zbritur, pasi kishin hyrë 6 ditë nga Ramazani, Ungjilli është zbritur, pasi kishin hyrë 12 ditë nga Ramazani, Zeburi është zbritur pasi kishin hyrë 20 ditë nga Ramazani, ndërsa Kurani është zbritur, pasi kishin kaluar 24 ditë nga fillimi i Ramazanit”. (15)
Mendimi i dytë dhe mendimi i katërt mund të harmonizohen brenda mendimit të parë. Këto dy mendime nuk e hedhin poshtë mundësinë, që Kurani të jetë zbritur përnjëherësh në qiellin e dunjasë dhe pastaj ai të jetë shpallur gradualisht (në tokë). Ibn Abasi (r.a) thotë: “Kurani është nxjerrë nga Libri Amzë dhe është vendosur në “Bejtu`l-Ize – Shtëpinë e Krenarisë” në qiellin e dunjasë. Më pas Xhibrili (a.s) ia shpalli atë Muhamedit (a.s)”
Autor: Rushit Musallari
[1] – Sure Ibrahim: 1.
[2] – Sure Hadid: 9.
[3] – Sure Ahkaf: 31.
[4] – Sure Buruxh: 21 – 22.
[5] – Sure Zuhruf: 3 – 4.
[6] – Sure Kadr: 1.
[7] – Sure Ali Imran:7.
[8] – Sure Hakka: 43.
[9] – Sure Bekare: 185.
[10] – Sure Dukhan: 2
[11] – Sure Kadr: 3








