Shpërthime dhe të shtëna pranë pallatit presidencial në Venezuelë

Shpërthime dhe të shtëna armësh u raportuan pranë pallatit presidencial Miraflores në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, sipas mediave lokale dhe pamjeve të shpërndara në rrjetet sociale, të cilat ende nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Video të publikuara online tregojnë burra të armatosur me armë të rënda dhe kolona ushtarake të vendosura rreth pallatit presidencial. Në pamje shihen gjithashtu forca sigurie që patrullojnë rrugët përreth, ndërsa banorët duket se kërkojnë strehim.

Sipas burimeve lokale, të shtënat ndodhën rreth orës 20:00 me orën lokale, pas raportimeve për dronë të paidentifikuar që qarkullonin mbi pallat, duke shtuar pasigurinë dhe konfuzionin. Autoritetet nuk kanë dhënë ende asnjë njoftim zyrtar për situatën.

Nuk ka raportime të menjëhershme për të plagosur apo viktima, dhe nuk është konfirmuar nëse ka pasur dëme materiale apo arrestime.

Ngjarja vjen disa orë pasi zv/presidentja Delcy Rodríguez u betua si presidente e përkohshme, pas ndalimit të presidentit Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, gjatë një operacioni ushtarak amerikan gjatë fundjavës. Autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse incidenti pranë pallatit presidencial lidhet drejtpërdrejt me krizën politike që po zhvillohet në vend. /mesazhi