Shpresa të vakëta për bisedimet ruso-ukrainase të paqes

Ukraina dhe Rusia njoftuan se bisedimet e drejtpërdrejta për t’i dhënë fund konfliktit mund të zhvillohen vetëm në kushte të caktuara, pasi luftimet kanë vazhduar në Ukrainën Lindore.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në një intervistë se ishte gati për negociata me presidentin rus Vladimir Putin, por vetëm personalisht me të, pa ndërmjetës dhe vetëm me kushtin e një dialogu në vend të një ultimatumi.

”Publiku ukrainas aktualisht nuk do ta shihte një takim të tillë me pozitivitet”, shtoi Zelensky.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se një takim mes dy liderëve nuk mund të zhvillohej derisa të kishte një marrëveshjeje paraprake me shkrim midis Moskës dhe Kievit.

“Pa këto masa përgatitore, vështirë se mund të zhvillohet një takim i tillë”, tha ai përpara se të konfirmonte se nuk kishte pasur progres në negociatat e paqes mes dy vendeve.

Që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, Kombet e Bashkuara kanë regjistruar mbi 3 500 vdekje të civilëve, megjithëse shumica e vëzhguesve besojnë se numri i të vdekurve është shumë më i lartë. /atsh